Arbër Krasniqi, njëri prej personave të përfshirë në skandalin për blerjen e votave në rastin e Meliza Haradinaj-Stubllës është ndaluar nga Policia e Kosovës.
Një video-incizim ka zbuluar bashkëshortin e kryediplomates kosovare, Meliza Haradinaj-Stublla, për përfshirjen e tij në një skandal të madh të manipulimit të votave.
Përfshirjen e Dardan Stubllës në manipulimin e rezultateve të kandidatëve të Aleancës për deputetë, e ka zbuluar një video-inicizim i Arbër Krasniqit, një komisioneri në Qendrën e Numërimit të Rezultateve (QNR).
Burime të Ballkani.info bëjnë të ditur se para pak çastesh është arrestuar Arbër Krasniqi protagonist i videos ku dyshohet për keqpërdorim të votave, e që disa thonë se është inskenim.
Arbër Krasniqi është punëtor i QNR-së dhe dyshohet se është i afërt me VV-në
Ndryshe, mëngjesin e sotëm Meliza Haradinaj-Stublla ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe nga të gjitha funksionet në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, pas skandalit lidhur me votat në zgjedhjet e 14 shkurtit.