Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se sot është arrestuar i burgosuri M.K, që ishte larguar para dy ditësh nga Pavijoni Gjysmë i Hapur i Qendrës Korrektuese në Dubravë.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, SHKK’ja ka bërë me dije se i njejti pas arrestimit nga policia e Kosovës është dorëzuar tek autoritetet e SHKK-së në Q. K Dubravë për të vazhduar mbetjen e dënimit.
“M.K më datën 09.02.2020 ishte larguar nga Pavijoni Gjysme i Hapur i Q. K Dubravë, ku po mbante dënimin për veprën penale, sulm ndaj personit zyrtarë”, thuhet në komunikatë.
Ndryshe, pas largimit të M.K nga kjo qendër, janë suspenduar dy zyrtarë korrektues dhe ka ngritur komision hetimor për këtë rast.
“Po ashtu, SHKK ka marrë vendim për largimin e përkohshëm deri në përfundim të hetimit të dy zyrtarëve korrektues, L.R dhe B.H. Ky vendim do të mbetet në fuqi deri në vendimin final të komisionit disiplinor”, njoftoi dje ky institucion.
I njëjti ishte i dënuar me shtatë muaj për veprën penale sulm ndaj personit zyrtar.