Detajet për rastin i ka bërë të ditura për TelegramiSot, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ajo tha se të arrestuarit, janë një 26-vjeçar dhe një 18-vjeçar, që të dy shtetas të Kosovës, të cilët tashmë janë dërguar në mbajtje.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë, respektivisht njësiti për Hetime të Përgjithshme, sot ka arrestuar dy persona të dyshuar për rastin tentim vrasje që ka ndodhë javën e kaluar në Drenas. Personat e dyshuar: H. Sh, mashkull, 26 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe A.B, mashkull, 18 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës Pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit të shtetit janë dërguar në qendrën e mbajtjes”, bëri të ditur Ahmeti.
Ndryshe, një i ri, 19-vjeçar është therur në afërsi të stacionit të autobusëve, mesditën e së premtes në Drenas.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.
Ajo kishte thënë se policia është në kërkim të dy të dyshuarve në lidhje me rastin.
“Rreth orës 13:00 kemi pranuar informatën për një rrahje në progres në afërsi të stacionit të autobusëve në Drenas. Me të marrë informatën njësitet e stacionit policor kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po merren me rastin. Bazuar në informacionet e para dyshohet se një person mashkull 19 vjeç, ka marrë plagë nga një mjet i mprehtë dhe i njëjti është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. Lidhur me këtë rast policia ka identifikuar dy persona të dyshuar dhe është në kërkim të tyre”, tha Ahmeti.