Policia e Kosovës ka ndaluar 81 persona në 24 orët e fundit në disa nga komunat e Kosovës, për mosveprim ndaj dispozitave shëndetësore gjatë situats me koronavirus.
Sipas policisë arsyeja e ndaljes së shumicës prej tyre është mosrespektimi i orarit të lëvizjes së lejuar nga ora 6:00-17:00.
Ata kishin dalë pa ndonjë arsye në intervalin kohor kur ndalohet lëvizja e qytetarëve.
Kryesisht rastet e shënuara janë në komunën e Prishtinës dhe atë të Gjakovës.
Në kryeqytet janë iniciuar 13 raste, ku janë arrestuar 35 persona. Ndërsa në Gjakovë janë iniciuar 9 raste, ku janë arrestuar 31 persona.
Autoritetet përkatëse kanë vendosur orë policore e cila fillon nga ora 17:00 dhe përfundon në ora 06:00 të mëngjesit. Ky vendim është marrë si masë preventive kundër përhapjes së Coronavirusit.