Aksioni kundër fajdes i cili u zhvillua sot në rajonin e Pejës dhe rezultoi me 15 të arrestuar mund të zbulojë detaje për ngjarjen tragjike të 14 shtatorit të vitit të kaluar, vetëvrasjen e 36-vjeçarit Baton Berisha. Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se arrestimi i të dyshuarve pritet të zbulojë se kush i bëri presion të riut që i dha fund jetës së tij.
Gazeta Sinjali pati raportuar për këtë rast të rëndë dhe ju risjellë detajet e kësaj ngjarje
Baton Berisha, 36-vjeçar, dyshohet se i dha fund jetës së tij, më 14 shtator, në fshatin Sferkë e Thatë të Pejës. Ai ishte larguar një ditë më parë nga shtëpia dhe familjarët e tij e raportuan të zhdukur në polici.
Por, të nesërmen, rreth orës 13:00, ata e gjetën 36-vjeçarin pa shenja jete në një fushë të këtij fshati, me një vrimë në kokë, që dyshohet të jetë shkaktuar nga arma e zjarrit.
Sinjali pati raportuar se arsyeja pse Batoni ka kryer vetëvrasje është për shkak të presionit që e ka pasur nga fajdexhinjtë.
Një person i afërt me të i ka thënë Sinjalit se Batoni kishte marrë fillimisht 8 mijë euro borxh nga disa fajdexhinj dhe tani borxhi ndaj tyre kishte arritur në 100 mijë euro.
Për këtë, ky sinjalizues kishte deklaruar se fajdexhinjtë kanë shkuar te shtëpia e Batonit dhe e kanë kërcënuar atë dhe familjen e tij, duke tentuar që t’i largojnë nga shtëpia dhe t’ua marrin atë në këmbim të borxhit.
Ditën kur fajdexhinjtë i shkuan 36-vjeçarit në shtëpi, ua kanë prezantuar familjarëve një listë të borxheve, që kanë arritur shumën e 100 mijë eurove, raporton Gazeta Sinjali.
Kërcënimet ndaj Batonit ishin aq serioze, saqë i afërmi i tij i kishte thënë Sinjalit se ai ka dalë nga shtëpia dhe ka shkuar në truallin e një dhëndri të tij në fshatin Sferkë e Thatë dhe aty dyshohet se ka qëlluar veten me armë zjarri në kokë.
Batoni ishte me prejardhje nga Kamenica e Lugut të Baranit dhe jetonte në Pejë, ku punonte si agjent i shitjes në ELKOS. Ai ishte i martuar dhe baba i tre fëmijëve.
Aksioni i sotëm kundër fajdeve
Gazeta Sinjali sot publikoi ekskluzivisht emrat e personave të arrestuar gjatë aksionit kundër fajdes që u zhvillua nga Prokuroria Themelore në Pejë, në koordinim me Policinë e Kosovës.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë njoftuar se përveç arrestimit të 15 të dyshuarve, gjatë këtij aksioni u sekuestruan dy armë dhe vetura e njërit nga të dyshuarit.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se njëri nga të dyshuarit është arrestuar bashkë me djalin e tij, i cili dyshohet për armëmbajtje pa leje, që më pas është liruar. I dyshuari që u kap bashkë me djalin e tij është Driton Podrimçaku.
Emrat e 14 të arrestuarve për fajde:
Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë ka thirrur konferencë të jashtëzakonshme për media lidhur me këtë aksion.
Konferenca e paraparë do të mbahet nga ora 15:00, në objektin e Prokurorisë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.