Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka përshëndetur donacionin e autoblindave të dhuruara nga SHBA’ja, derisa ka pasur kritika për Qeverinë Kurti karshi raporteve me këtë shtet.
Gashi, me anë të një postimi në Facebook, fjalë të mira nuk ka pasur për Qeverinë Kurti as për mënyrën e menaxhimit të pandemisë, të cilën e ka cilësuar si “dështim”.
“Ata që dje Amerikën e quanin “Amelika”, e qe besa edhe ngjyrën e Shtëpisë së Bardhë ia ndërronin për çdo ditë e në çdo rast, sot, dështimin e tyre në qeverisje dhe keqmenaxhimin e pandemisë, ku për pasojë kemi numër rekord të të infektuarve dhe të vdekurve, po duan ta mbulojnë me këtë lajm të mirë që vjen nga Amerika”, ka thënë ai.
Postimi i plotë:
Nga Amerika gjithmonë kanë ardhur dhe vijnë veç të mira. Sot, ushtria jonë pranoi donacionin e radhës nga ky shtet mik i përjetshëm, përkatësisht 55 automjete ushtarake të blinduara. Faleminderit, Amerikë!
Ata që dje Amerikën e quanin “Amelika”, e qe besa edhe ngjyrën e Shtëpisë së Bardhë ia ndërronin për çdo ditë e në çdo rast, sot, dështimin e tyre në qeverisje dhe keqmenaxhimin e pandemisë, ku për pasojë kemi numër rekord të të infektuarve dhe të vdekurve, po duan ta mbulojnë me këtë lajm të mirë që vjen nga Amerika. Saktësisht nga Amerika dhe jo nga “Amelika”. Po manipulojnë, po tentojnë që pranimin e këtij donacioni ta përvetësojnë si një meritë të tyre. E vërteta e madhe është krejt ndryshe, ngaqë ardhja e këtij donacioni është meritë e qeverisë së kaluar, bashkëpunimin e secilës me Amerikën, pushteti i sotëm e kontestonte dhe e ofendonte pa pushim, ditë e natë.
Po ashtu, këto automjete të blinduara supozohet se duhet të jenë sekret, ose minimalisht të ekspozuara.
Mirëpo, lajmi i mirë dhe i vërtetë është se ushtria jonë po ngrit kapacitetet e saj me mbështetjen e vazhdueshme të Amerikës, si gjithmonë. Lajmi i dytë i mirë, me dëshirën që edhe të jetë i vërtetë është se pushteti i sotëm Amerikën nuk po e quan më “Amelika”.
Faleminderit, Amerikë!
Zoti ju bekoftë!