Deputeti i rizgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, ka treguar arsyen e takimit me drejtorin e të ashtuquajturës zyra serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, Xhelal Sveçlën e LVV’së dhe Ardian Gjinin e AAK’së.
Gazeta Express ka raportuar për një takim mes tyre që po mbahet në Tiranë, por Abrashi ka hedhur poshtë aludimet duke theksuar se bëhet fjalë për një takim rajonal të mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë.
“Takim rajonal, mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, organizuar nga CIG”, tha Abrashi për Gazetën Sinjali.
Përveç Abrashit, Gazeta Express ka raportuar se në Tiranë është takuar edhe Xhelal Sveçla i Vetëvendosjes me Marko Gjuriqin.
Ndërsa, Vetëvendosje është deklaruar për Gazetën Express se nuk është takimi i Sveçlës me Marko Gjuriqin, por vetëm një pjesëmarrje në konferencë ndërkombëtare.
“Ky nuk është takim i Xhelal Sveçlës me Marko Gjuriqin, por është pjesëmarrje në konferencën ndërkombëtare, me të gjitha subjektet politike të rajonit, që po mbahet me temën “Bashkëpunimi Rajonal” nën organizimin e organizatës CIG”, ka thënë zyra për media e Lëvizjes Vetëvendosje për Gazetën Express.
Tutje, Vetëvendosje ka thënë se në këtë takim ka edhe zyrtarë të tjerë nga partitë e tjera nga Kosova dhe nuk është takim i përveçëm.
“Në tryezë janë shumë edhe shumë zyrtarë të tjerë të partive nga Kosova, përveç shumë subjekteve rajonale, e jo takim i përveçëm”, ka thënë zyra për media Vetëvendosjes.