Kjo bëri që kreu i saj, Isa Mustafa, të dorëzojë dorëheqjen duke hapur mundësinë për zgjedhjen e një kryetari të ri.
Si asnjëherë më parë, në Kuvendin Zgjedhor që do të mbahet këtë të diel në garë për të marrë drejtimin e LDK-së janë katër kandidatë.Në mesin e tyre është edhe ushtaraku i karrierës që ishte edhe ndër drejtuesit e operacioneve të UÇK-së në Betejën e Koshares.
Anton Quni, tani Ministër në detyrë i Mbrojtjes, po synon që ta marrë drejtimin e partisë më të vjetër në Kosovë.
Quni, që drejton degën e LDK-së në Prizren, ka dhënë një intervistë për klankosova.tv ku ka folur për synimet e tij.
Ai ka thënë se është pikërisht humbja më e thellë në historinë politike të LDK-së që e ka shtyrë të kandidojë për postin e të parit në partinë pjesë e të cilës është nga viti 2010.
“Unë në kohërat më të vështira, me përkushtimin më të lartë njerëzor dhe profesional si ushtarak, isha në shërbim për lirinë e Kosovës. Sot, në rrethana krejt të reja, kur njëra nga partitë shtetformuese ka shënuar rezultatin më të dobët që nga themelimi i saj, mendoj se përvoja shumëvjeçare, eksperienca dhe qasja korrekte dhe gjithëpërfshirëse në realizimin e shumë proceseve të cilat i kam dëshmuar në kuadër të bashkëpunimit shumëvjeçar me kolegët brenda partisë, justifikojnë kandidaturën time”.
Quni nuk ka treguar se pse duhet të fitojë ai dhe jo Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku ose Besian Mustafa veç se thtoë se secili nga ta ka thënë kontributin e tyre personal dhe profesional në parti dhe në institucione.
Ama, nëse del fitues në garën e 15 marsit, Anton Quni do t’i ofrojë atyre pozitën e nënkryetarëve.
“Përvoja dhe kredibiliteti i këtyre kandidatëve janë një vlerë e shtuar në udhëheqjen time eventuale të LDK-së. Sigurisht se eksperienca e tyre është shumë e vlefshme të materializohet përmes strukturave udhëheqëse të partisë, prandaj me kënaqësi do t’iu ofroj pozitat e nënkryetarëve”.
Quni në këtë intervistë ka folur edhe për Vjosa Osmanin duke thënë se ftesa publike që ai i ka bërë që të kthehet në LDK do të jetë e hapur.
“Unë tashmë i kam bërë një ftesë publike zonjës Osmani që të kthehet në LDK dhe sigurisht se do të përkushtohem që të rikthej të gjithë anëtarët të cilët për çfarëdo arsye kanë braktisur LDK-në”.
INTERVISTA E PLOTË:
Zotëri Quni ju jeni kandidat për kryetar të LDK-së, a mund të na thoni shkurtimisht:• Cilat janë arsyet që bënë që ju ta shpallni kandidaturën?
Anton Quni: Angazhimi në procese të rëndësishme të shtetformimit si dhe konsolidimit të shtetësisë së Kosovës dhe eksperienca e gjatë në kontributin për institucionet shtetërore më kanë bërë të ndihem përgjegjës në këtë momentum të rëndësishëm për proceset shtetërore, sepse është domosdoshmëri për standardet demokratike të ketë një opozitë të fuqishme dhe konstruktive, prandaj kam vendosur të shpall kandidaturën time për kryetarin e LDK-së.
• Pse vendosët të kandidoni për kryetar të LDK-së pikërisht në kohën kur dolët me rezultatin më të dobët në histori?
Anton Quni: Unë në kohërat më të vështira, me përkushtimin më të lartë njerëzor dhe profesional si ushtarak, isha në shërbim për lirinë e Kosovës. Sot, në rrethana krejt të reja, kur njëra nga partitë shtetformuese ka shënuar rezultatin më të dobët që nga themelimi i saj, mendoj se përvoja shumëvjeçare, eksperienca dhe qasja korrekte dhe gjithëpërfshirëse në realizimin e shumë proceseve të cilat i kam dëshmuar në kuadër të bashkëpunimit shumëvjeçar me kolegët brenda partisë justifikojnë kandidaturën time. Kjo për qëllim që të rikthej LDK-në me rezultate të merituara të legjitimitetit qytetar, si një parti që përfaqëson vlerat më demokratike, sepse ka një histori suksesi prapa për kontributin në procesin e formimit dhe konsolidimit të shtetit.
• Cili është programi juaj për Lidhjen Demokratike të Kosovës?
Anton Quni: Programi im fokusohet në promovimin e vlerave të integritetit, përfshirjen në anëtarësi të anëtarëve kredibilë dhe me kompetencë të lartë profesionale, ofrimi i mundësive të barabarta, në veçanti përfshirjen e të rinjve si dhe avancimin e grave në pozitat udhëheqëse të partisë e posaçërisht duke u fokusuar në një proces të evoluimit gradual që i përgjigjet kohës dhe kërkesave në një ambient të ri politik duke respektuar standardet më të larta të demokracisë. Po ashtu, avancimi i demokracisë së brendshme në menaxhimin e proceseve brenda partisë, por edhe qasja konstruktive në relacion me partitë e tjera, sidomos në proceset e rëndësishme për shtetësinë e Kosovës e posaçërisht bashkëpunimi me partnerët përbëjnë esencën e platformës sime për udhëheqjen e LDK-së.
Deri më tani janë shpallur katër kandidatura për ta marrë timonin e të parit të Lidhjes Demokratike të Kosovës:
• Ai i prisnit gjithë këto kandidatura?
Anton Quni: Duke e ditur nivelin e demokracisë së kultivuar ndër vite në kuadër të LDK-së kam pritur që të ketë disa kandidatura.
• Çka ju dallon juve nga kandidatët e tjerë, pra cilat janë përparësitë e juaja në krahasim me Lumir Abdixhikun, Lutfi Hazirin dhe Besian Mustafën?
Anton Quni: Nuk dua të komentoj mbi kualitetet e kolegëve që kanë shpallur kandidaturat.Në rast se ju arrini ta fitoni garën për kryetar të LDK-së:
• Cila do të jetë qasja juaj ndaj kundërkandidatëve?
Anton Quni: Unë e vlerësoj secilën nga kandidaturat për Kryetar të LDK-së. Secili nga ata ka dhënë kontributin personal dhe profesional në pozita të rëndësishme brenda partisë, si dhe në institucionet e nivelit qendror dhe lokal.
• A do t’iu ofroni pozitat e nënkryetarëve?
Anton Quni: Përvoja dhe kredibiliteti i këtyre kandidatëve janë një vlerë e shtuar në udhëheqjen time eventuale të LDK-së. Sigurisht se eksperienca e tyre është shumë e vlefshme të materializohet përmes strukturave udhëheqëse të partisë, prandaj me kënaqësi do t’iu ofroj pozitat e nënkryetarëve.
Duke pasë parasysh faktin që deri tani jeni katër kandidatë për kryetar të LDK-së:
• A shihni ndonjë rrezik që të ketë përçarje brenda subjektit të cilit i takoni?
Anton Quni: LDK në vazhdimësi ka treguar një kulturë të lartë demokratike. Edhe fakti se janë një numër i kandidatëve të cilët kanë shpallur kandidaturat e tyre tregon më së miri shkallën e kësaj demokracie. Nëse do të kishte pasur interferime në procesin zgjedhor, askush nga kandidatët nuk do të kishte qenë i motivuar të hyjë në garë, në një ambient ku paraprakisht dihen fituesit. Pikërisht kjo është vlera më e lartë e demokracisë që e kultivon LDK-ja dhe mbi bazën e këtyre vlerave do të rikthehet fuqishëm.
Në rast se nuk e fitoni garën:
• A do ta pranoni rezultatin?
Anton Quni: Unë do të uroj secilin nga kandidatët që në mënyrë meritore do të marrë votat e anëtarësisë. Unë tashme kam uruar edhe fituesit e zgjedhjeve të 14 shkurtit, sepse besoj fuqishëm se njohja e rezultateve që dalin nga proceset kredibile zgjedhore është shprehja e standardeve më të larta të demokracisë.
Në rast se e fitoni garën:• Cila është puna e parë që do ta bënit si kryetar i LDK-së?
Anton Quni: Fillimisht do të falenderoj anëtarësinë për besimin dhe puna e parë që do të bëj është të filloj procesin e konsolidimit te brendshme, rikthimin e besimit në proceset brenda partisë, angazhimin e anëtarëve të rinj dhe kredibil dhe me kompetencë profesionale, hapjen e mundësive për anëtarët e rinj, krijimin e hapësireës së mjaftueshme për gratë.
• Si do të duket Lidhja Demokratike e Kosovës me Anton Qunin kryetar?
Anton Quni: LDK do të duket një parti moderne që përfaqëson vlerat më të larta demokratike, standardet më të larta të profesionalizmit, integritetit dhe transparencës. Një parti që qasja ekipore ndjek procesin e vendimmarrjes, si dhe secili nga anëtarët ndjen pronësinë mbi proceset e partisë.
Ju e patët mbështetur shumë Vjosa Osmanin si kandidate për kryeministre në zgjedhjet e 6 tetorit. Pas largimit të saj nga partia ju thatë që nuk është tragjike që ajo nuk është më në LDK. Por, edhe i bëtë thirrje që t’i kthehet, siç thatë ju, gjenezës së saj LDK-së.
• Cila do të jetë qasja karshi Vjosa Osmanit nëse bëheni kryetar?
Anton Quni: Unë tashmë i kam bërë një ftesë publike zonjës Osmani që të kthehet në LDK dhe sigurisht se do të përkushtohem që të rikthej të gjithë anëtarët të cilët për çfarëdo arsye kanë braktisur LDK-në. Investimi për një kohë të gjatë që ata kanë bërë në LDK, si dhe profilet e tyre janë një vlerë e shtuar për LDK-në, prandaj përveç mundësive për anetarësinë e re do të përkushtohem fuqishëm që anëtarët me kredibilitet dhe profesionalizëm të rikthehen në shtëpinë e vjetër të tyre.
• Edhe një pyetje tjetër për Vjosa Osmanin: A do ta votoni për presidente?
Anton Quni: I mbetet kryetarit të ri që në bashkëpunim me strukturat e partisë të marrin një vendim zyrtar.
Pyetja e fundit në këtë intervistë është për Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin.
• Albin Kurti i ka ftuar partitë në një takim më 15 mars. Nëse zgjedheni kryeter, a do të merrni pjesë dhe cila do të jetë qasja juaj karshi Lëvizjes Vetëvendosje?
Anton Quni: Nëse do të zgjidhem kryetar, po sa të krijohen trupat vendimmarrëse unë do të marr pjesë në takim, sepse e ndiej detyrim pjesëmarrjen në proceset demokratike për shtetin. Konsultimet me partinë fituese të zgjedhjeve që përfaqëson legjitimitetin qytetar të shumicës se tyre, sigurisht se e ndjej detyrim që ta respektoj. Sa i përket qasjes së LDK-së, në legjislaturën e ardhshme do të luajmë rolin konstruktiv të një partie opozitare në parlament duke konsideruar çdo herë interesin e shtetit.