Analisti politik dhe anëtar i Bordit Menaxhues të Radio Televizionit Serb, Branko Radun, bëri një postim skandaloz në rrjetet sociale, duke shkruar se zgjidhja për Kosovën është lufta.
Edhe pse në fillim dukej se ishte një gabim apo një profil i rremë, Radun konfirmoi për Nova.rs se ai e shkruajti pikërisht atë që kishte menduar.
“Të gjithë duhet të deklarohen. Vuçiç ka thënë se zgjidhja është ndarja. Nuk mendoj se kjo është zgjidhje realiste. Fatkeqësisht, zgjidhja është lufta”, shkroi Radun në Twitter, duke folur për situatën me Kosovën dhe dialogun me zyrtarët e Prishtinës.
Ai pastaj shtoi:
“Kur them se zgjidhja është lufta, dua të them se si situata ndoshta do të zgjidhet. Ne e humbëm Kosovën në luftë dhe e rifituam atë në luftë. Ne nuk duam një luftë, por ajo do të na imponohet nga projekti i Shqipërisë së Madhe dhe aspiratat e shqiptarëve ndaj fqinjëve të tyre “.