Udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke shpallur fitoren tha se ai do të jetë kryeministri i ardhshëm i vendit. Qeveria e re e Kosovës do të ketë përpara shumë sfidave, si në rrafshin ndërkombëtar ashtu edhe atë vendor.
Dy analistë amerikanë, ndjekës të hershëm të zhvillimeve në Kosovë, i thanë Zërit të Amerikës se vazhdimi i bisedimeve Kosovë-Serbi dhe tarifa 100 për qind ndaj mallrave serbe, duhet të jenë prioritetet e qeverisë së re.
Albin Kurtin e presin sfida të mëdha në rast se e merr drejtimin e qeverisë së re të Kosovës, thotë eksperti amerikan i çështjeve të Ballkanit, Edward Joseph.
“Të qenit në qeveri, i ndryshon njerëzit dhe politikanët. Për Albin Kurtin dukej e lehte të kritikonte nga jashtë dhe të kundërshtonte. Është krejt ndryshe të shkosh në Bruksel ose Uashington, ose të presësh zyrtarë të lartë nga këto dy vende dhe t’i dëgjosh ata. Nuk duhet të harrojmë se Kosova është e varur nga mbështetja e faktorit ndërkombëtar. Për sigurinë e Kosovës kujdeset KFOR-i, ende nuk ka ushtri. Ekonomia varet nga BE-ja. Prandaj Kosova nuk mund ta përballojë izolimin. Kjo duhet të përjashtohet”, tha për Zërin e Amerikës analisti amerikan Edward Joseph.
Por, qëndrimet e udhëheqësit të Lëvizjes Vetëvendosje, që shpesh herë janë cilësuar si të ashpra ndaj faktorit ndërkombëtar dhe izoluese për Kosovën, nuk i sheh si problem analisti Janusz Bugajski nga Qendra për Analizën e Politikave Evropiane.