Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), agjenci qeveritare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka bërë të ditur se nuk do të ndajë fonde për Kosovën, derisa të zgjidhet çështja e taksës.
MCC ka lëshuar një komunikatë, në mbrëmjen e së premtes, rreth gjendjes së programeve të saj për zhvillim ekonomik në Kosovë.
“Derisa të zgjidhet çështja e tarifës, MCC do të ndalojë zbatimin e projektit Kompakt të Zyrës për Sfidat e Mijëvjeçarit”, ka thënë MCC-ja.
“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës karshi tarifave të Kosovës ndaj mallrave nga Serbia është i qartë.
Heqja e këtyre tarifave do të përmirësojë ekonominë e Kosovës dhe do të ndihmojë në reduktimin e varfërisë, nëpërmjet zhvillimit ekonomik”.
MCC-ja ka thënë se programet e MCC-së në Kosovë varen nga veprimet e ardhshme të Qeverisë së Kosovës.
“Vendimi për t’i vazhduar programet e MCC-së varet nga veprimet e Qeverisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
“MCC shpreson se Qeveria e Kosovës do të vendosë të zgjidhë këtë çështje të tarifës sa më parë, në mënyrë që të vazhdojnë programet. Sapo të arrihet një zgjidhje, MCC do të vazhdojë operacionet e saj”, përfundon komunikata.