Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka njoftuar se Presidenti Biden i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së saj për të ndihmur Kosovën me vaksina.
“Më 19 mars 2021, i kam shkruar Presidentit Biden duke kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për dhurimin e vaksinave në kohën kur Kosova ishte i vetmi shtet në Evropë që ende nuk kishte filluar administrimin e tyre. Më 19 Prill 2021 Presidenti Biden u përgjigj pozitivisht në të cilën ai u zotua për ta trajtuar kërkesën tonë rreth vaksinave. Sot, ne jemi të lumtur të njoftojmë se Presidenti Biden, në emër të SHBA-ve, ka vendosur të dhurojë një numër të rëndësishëm të vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës”, ka njoftuar Osmani përmes një shënimi në Facebook.
Osmani pasi ka shprehur mirënjohjen për Presidentin Biden, thotë se kjo është dëshmi e mbështetjes së palëkundur nga SHBA për Kosovën.
“Dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë për Presidentin Biden për këtë gjest bujar dhe për dhurimin e vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës pas kërkesës së adresuar atij në muajin mars. Njoftimi zyrtar i sotëm është tjetër dëshmi e mbështetjes së palëkundur që vendi ynë e gëzon historikisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
“Presidenti Biden ka qenë gjithmonë mik i Kosovës dhe ky donacion ilustron kujdesin dhe konsideratën e pakursyer që ai vazhdon të tregojë ndaj popullit tonë. Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës e falënderoj përzemërsisht”.
Osmani në fund ka premtuar se Kosova do të vazhdojë e palëkundur orientimin Euro-Atlantik, e sipas saj kjo është dëshmuar edhe me rastin e vaksinave.