Departamenti i Amerikan Shtetit ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës edhe për sistemin gjyqësor. DASH ka treguar se Strukturat gjyqësore në Kosovë iu kanë nënshtruar ndërhyrjeve politike
Raporti i DASH thekson se zyrtarët ndonjëherë përfshiheshin në praktika korruptive pa u ndëshkuar dhe se mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe dobësia e përgjithshme në sundimin e ligjit kontribuan në këtë problem.
Çështjet e korrupsionit në mënyrë rutinore u nënshtroheshin apelimeve të përsëritura dhe sistemi gjyqësor shpesh lejonte parashkrimin apo skadimin e afatit për të gjykuar çështjet.
Në raport thuhet se Prokuroria e Posaçme ngriti nëntë aktakuza lidhur me korrupsionin deri në dhjetor të vitit 2021, por një pjesë e vogël e rasteve të korrupsionit që u hetuan dhe për të cilat u ngritën akuza, përfunduan me dënime.
Organizatat joqeveritare vendase dhe organizatat ndërkombëtare, thuhet në raport, pretenduan për dështime të shumta nga sistemi gjyqësor për të ndjekur penalisht korrupsionin, duke vënë në dukje se shumë pak raste të ngritura kundër zyrtarëve të lartë rezultuan me dënime dhe dënimi i zyrtarëve të nivelit të lartë për korrupsion ishte shpesh i butë.
Qeveria, thuhet në raport, ndërmori hapa për të identifikuar, hetuar, ndjekur penalisht dhe ndëshkuar zyrtarët që kryen shkelje të të drejtave të njeriut, por nganjëherë nuk kishte qëndrueshmëri në veprime. Shumë njerëz në qeveri, opozitë, shoqëri civile dhe media, raportuan raste të zyrtarëve të lartë të përfshirë në korrupsion ose duke vepruar pa u ndëshkuar.