Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka parashikuar se Kina do të sulmojë Tajvanin pas Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit 2022.
Në një intervistë me një ish-deputet në Mbretërinë e Bashkuar, Nigel Farage, Trump tha se sjellja e Kinës ndryshoi pasi ai u largua nga detyra.
Komandanti i përgjithshëm i 45-të tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk respektohet më që kur Joe Biden u bë president.
Kjo deklaratë nga Trump vjen pasi avionët luftarakë kinezë bënë 159 inkursione në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit në nëntor – muaji i dytë më i lartë që shënoi rekord të fluturimeve.
Kina e sheh Tajvanin si territorin e saj dhe pavarësisht se qeveriset veçmas për më shumë se shtatë dekada, ajo pretendon sovranitetin mbi kombin ishull. Gjithashtu, është zotuar se do ta kthejë një ditë atë-edhe me forcë nëse është e nevojshme.
Agresioni i Pekinit u rrit shumëfish pasi Tsai Ing-wen, e cila kundërshton ‘politikën e një Kine’, erdhi në pushtet në vitin 2016.
Për të kundërshtuar Kinën, Taipei ka rritur lidhjet strategjike me demokracitë, përfshirë SHBA-në.
Këto lëvizje kanë alarmuar aleatët perëndimorë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Japonia se Kina mund të urdhërojë një pushtim të Tajvanit në të ardhmen e afërt.
Ndërkohë, ish-kryeministri japonez, Shinzo Abe, tha të mërkurën se Japonia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund të qëndrojnë duarkryq nëse Kina sulmon Tajvanin dhe Pekini duhet ta kuptojë këtë.
“Një emergjencë në Tajvan është një emergjencë japoneze, është një emergjencë për aleancën Japoni-SHBA. Njerëzit në Pekin, presidenti Xi, në veçanti, nuk duhet kurrë ta keqkuptojë këtë fakt”, citon Reuters të ketë thënë Abe.
Kina reagoi me zemërim ndaj komenteve të Abe-s dhe thirri ambasadorin e Japonisë në Pekin për një “takim urgjent”.
Duke protestuar fuqishëm në takimin me ambasadorin japonez, Shui Hideo, ndihmësministri i Jashtëm kinez, Hua Chunying, i quajti vërejtjet e Abe-s “të gabuara” dhe shkelje të normave bazë të marrëdhënieve midis Kinës dhe Japonisë.
Ky portal mirëmbahet nga kompania “Telegramisot.info“. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Telegramisot.info“. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit.
info@telegramisot.info