Ambasadori i Republikës së Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, ka vizituar sot ndërmarrjen publike “Termokos” në Prishtinë.
Gjatë kësaj vizite, ai është pritur nga kryeshefi ekzekutiv i Termokosit, Fisnik Osmani, me të cilin ka zhvilluar një bisedë mbi projektet aktuale dhe planet zhvillimore të ngrohtores së kryeqytetit.
Kryeshefi Osmani ka njoftuar ambasadorin turk për investimet dhe projektet kapitale që janë duke u realizuar, të cilat do të luajnë një rol të rëndësishëm në tranzicionin e gjelbër energjetik të Kosovës.
“Menaxhmenti i ndërmarrjes është i përkushtuar të bashkëpunojë ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, në mënyrë që të kemi më të lehtë rrugën tonë drejt tranzicionit të gjelbër,” ka theksuar Osmani.
Vizita e ambasadorit turk vjen në një kohë kur Termokos po punon intensivisht për të ofruar një shërbim më cilësor dhe të qëndrueshëm për qytetarët e Prishtinës, në përputhje me objektivat për zhvillim të qëndrueshëm dhe energji të pastër.