Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka folur edhe rreth aktakuzës që është ngritur ndaj tij me të marrë detyrën në krye të këtij dikasteri.
Aktakuza ka të bëjë me dyshimet se ai kishte keqpërdorur detyrën zyrtare sa ishte drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.
Aliu në Rubikon në Klan Kosova tha se do të japë edhe më shumë detaje lidhur me këtë rast pas seancës së radhës.
“Unë sapo të konfirmohet kjo në seancën e radhës, unë mezi pres të jap detaje edhe rreth prapavijave se çka ka ndodh me ato toka? Të kujt kanë qenë ato toka? “.
Ai theksoi se vendimet i merr në konsultim me Qeverinë dhe partinë e tij.
“Unë gjithmonë kam qenë njeri i organizatës. Vendimet e mia nuk çdo herë kanë qenë në përputhje edhe me Qeverinë dhe subjektin politik. Nëse Qeveria dhe subjekti politik vlerëson se unë duhet të qëndrojë, do të qëndrojë. Nëse e vlerëson se unë duhet të shkojë, atëherë do të shkojë që në momentin e parë pa problem”.
I pari i Mjedisit dhe Infrastrukturës shtoi se vendimet e marra si drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës janë duke u bazuar në procedurat e parapara.
“Në këtë pikë aktakuza përpos lojës që është mbajtur fshehur dhe është publikuar sapo unë e kam marrë detyrën nga ish-ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi. Në momentin që e kam marrë detyrën pak minuta më pas e kam marrë lajmin”.
“Tek rasti po të kisha dhënë leje atëherë do të ishte legjitime të ngritej aktakuza. Unë mendoj se kam bërë veprimin e drejtë që nuk kam dhënë leje, sepse procedurat janë qartë të përshkruara”.
“Planin rregullativ se kam bërë unë. Madje është bërë nga qeverisja e kaluar në komunën e Prishtinës, në vjeshtën e vitit 2013 është miratuar në Kuvendin Komunal. Dhe e ka vërtetuar ligjshmërinë e tij dhe harmoninë me dokumentet e tjera, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal”.
“Në atë lokacion është paraparë shkollë. Dhe kur parashihet të ndërtohet shkollë, unë nuk mund të jap leje për shtëpi banimi. Pastaj kanë ardhur palët dhe kanë pyetur: Pse e keni qitë shkollën në pronë private? Po, nuk e kam qitë unë. Madje në atë zonë nuk ka pasur prona publike”.