Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pa dashje e ka goditur rëndë shefin e saj, Albin Kurti.
Ajo ka pyetur se si është e mundur që një njeri që s’e ka veshur asnjë minutë uniformën t’i thotë vetes veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan Demokracia.com.
Haxhiu mbrëmë ka thënë se të gjithë e dinë që UÇK-ja nuk ka pasur kaq shumë veteranë, sa ka në listat aktuale.
Sipas saj, të gjithë e dinë që Kosova nuk ka pasur 50 apo 60 mijë veteranë.
Ajo ka theksuar se në një kohë të afërt duhet të adresohet kjo çështje
“Nuk është e drejtë, jo vetëm në kuptim të barrës financiare, nuk po flas për atë, mirëpo po flas edhe për aspektin moral. Qysh mundet dikush me i thënë vetit veteran, e as 1 minut se ka veshur uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shtoi ministrja në RTV21.
Muajve të fundit është zhvilluar një debat i ashpër se a ka qenë pjesë e UÇK-së kryeministri Albin Kurti i cili e gëzon statusin e veteranit.
Ky debat u ringjall pas publikimit të dorëheqjes së Kurtit nga Zyra e Adem Demaçit pak ditë para nisjes së bombardimeve të NATO’s mbi caqet serbe më mars të vitit 1999.