Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, i ka thënë Kryeministrit, Albin Kurti se në planin qeverisës ka premtuar hartimin e një Ligji që ekziston nga viti 2011.
Tahiri deklaroi se në bazë të këtij Ligji janë bërë të gjitha ekstradimet deri më tani në Kosovë.
“Një çështje që e tregon mendësinë e hartimit të këtij programi është zotimi juaj për me hartu Ligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale.
Pra keni premtuar se do ta hartoni, me qëllim të luftimit të korrupsionit me shtete tjera, o zotëri Kryeministër, për që s’të marrin seriozisht as ty as programin, s’e kam pritë, pra a e din që ky Ligj ekziston prej vitit 2011, Hajredin Kuçi e ka sponsorizuar si ish-ministër i Drejtësisë, është ndryshuar në vitin 2013 dhe i ka 36 faqe”, tha Tahiri.
Tahiri i tha Kurtit se as ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nuk po e merr seriozisht.
“Pra po thua kam me bë diçka që ekziston, krejt ekstradimet që kanë ndodhur në Kosovë deri tash, kanë ndodhur mbi bazën e këtij Ligji. Pra kjo tregon çfarë mendësie, pra as Albulena s’të ka marrë seriozisht e lëre më këta tjerët, na i prezantove rend me emra, këqyre çka të kanë qit në program.
Po kur e lexon një partner i joni ndërkombëtar që e sheh fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar qysh e rregullojmë ne si shtet, dhe kur e lexon programin e Qeverisë vallahi goxha marre, sepse ekziston kjo”, ka deklaruar Tahiri.