Profesori universitar Blerim Latifi ka thënë në emisionin Pressing në T7 se kryetari i VV’së, Albin Kurti nuk mund të marrë pjesë në zgjedhje.
Ai ka thënë se ai duhet të kërkojë mënyra tjera pasi që me gjasë nuk do i lejohet kandidimi në listën e VV’së.
“Dikush ka thënë se politika është art i së mundshmes. Nuk më kujtohet se cili. Por kjo thënie vlen shumë tani. Kjo për shkak se Kurti tani duhet të kërkojë një zgjedhje tjetër. Nuk do të marrë pjesë në zgjedhje kjo dihet”, ka thënë ai.
Tutje Latifi ka pasur një paralajmërim nëse Kurtit nuk i lejohet pjesëmarrja në zgjedhje.
“Albin Kurti nuk ka me lënë VV-në me marrë pjesë në zgjedhje nëse nuk është në listë. Më duhet të them këtë. Ai do të kërkojë të shkatërrojë procesin elektoral nëse nuk i lejohet pjesëmarrja”, shtoi ai.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka certifikuar listat zgjedhore të subjekteve politike: Vetëvendosje (VV), Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.
Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim i rekomandoi KQZ-së që t’i certifikojë të gjithë kandidatët për deputetë, të cilët janë në kuadër të listave zgjedhore të subjekteve politike.
Ky propozim, sipas drejtorit të kësaj zyre, Yll Buleshkaj, ka ardhur si rezultat i paqartësive në pikën “q” të nenit 29 të Ligjit për zgjedhje të përgjithshme, pikë kjo që ua ndalon kandidimin personave të dënuar në tri vjetët e fundit.
Buleshkaj ka theksuar se zyra që ai drejton ka propozuar që të certifikohen të gjithë kandidatët, duke lejuar hapësirë për ankesa më vonë.
Por, kjo u kundërshtua nga shumica e anëtarëve të KQZ-së, të cilët vendosën që të votojnë një nga një për subjektet politike, pasi disa prej tyre nuk i kishin zëvëndësuar kandidatët për të cilët Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) kishte thënë se nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.