Qeveria në detyrë e Kosovës pritet që nesër të shfuqizoë plotësisht tarifën 100% për importet e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës, për ta zëvendësuar atë me masa të plota të reciprocitetit, transmeton Gazeta Metro.
Këtë e thonë edhe zyrtarë të Qeverisë Kurti, të cilët kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë se kjo masë bazohet në vendimin e 20 marsit, kur Qeveria kishte vendosur që të lirojë nga taksa importet për lëndën e parë nga Serbia.
Në këtë vendim thuhet se Qeveria më 1 prill do të nxjerrë vendim për të shfuqizuar vendimet e qeverisë së kaluar me Ramush Haradinajn në krye, ku ishte vendosur taksa ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.
Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Haki Abazi, ka thënë për REL se të gjithë këto masa do vendosen bazuar në veprimet e Serbisë ndaj Kosovës.
“Të gjitha këto masa janë në nivelin e reciprocitetit real, praktikë të formës së aplikimit të politikave që bën Serbia ndaj mallrave dhe aspektit tregtar me Kosovën.
Këto masa kryesisht bien në fushën e lëvizjes së lirë, njerëzve, makinave mauneve të transportit dhe që Serbia nuk pranon tabelat e regjistrimit dhe i detyron qytetarët e Kosovës që të bëjnë zëvendësimin me dokumente të përkohshme.
Gjithashtu, në aplikimin e masave ka nivel të arbitraritetit, për shembull nuk pranohet certifikata e prodhimeve apo certifikata sanitare”