Kanë mbetur edhe një javë deri në fillim të fushatës zgjedhore për kryetar komunash.
Për këtë, një ditë më parë presidentja e vendit Vjosa Osmani ka takuar kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Kreshnik Radoniqin ku kanë diskutuar për situatën pandemike dhe ndikim e saj në zgjedhje.
Në këtë takim kryetari i KQZ-së ka njoftuar Presidenten Osmani se do ketë angazhim maksimal në mbarëvajtjen zgjedhore, gjë që ka bërë të kuptohet se zgjedhjet do të mbahen në datën që është paraparë.
Ndërsa partitë politike në vend, tashmë janë të gjitha njëzëri që fushata zgjedhore të jetë sa më e shkurtër.
“Ne besojmë që janë institucionet dhe organet shtetërore, sidomos ato të shëndetësisë, të cilat e japin vlerësimin e duhur për këtë çështje”, ka thënë Arlind Manxhuka, zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosjes.
Në anën tjetër, Betim Gjoshi, anëtar i Kryesisë të PDK-së, ka thënë se duhet të respektohen masat të shkurtohet dhe të minimizohet fushata gjë qe e mbeshtesim këtë me qellim që zgjedhjet të mbahen me 17 tetor atëherë kur janë të parapara.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë për RTK-në se e vetmja që nuk ka kthyer përgjigjje zyrtare është Vetëvendosje.
“Po presim nga Vetëvendosje nëse është e gatshme për bashkëpinim për shkurtimin e fushatës zgjedhore ne kemi dhënë një ide ne jemi të hapur që ta diskutojmë anulimin e fushatës në kuptimin e grumbullimit të njerëzve dhe të kalohet në platforma digjitale”, ka thënë Gashi.
Për t’i shkurtuar ditët e fushatës kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradaniaj ka thënë se nga tridhjetë ditë të bëhen vetëm pesë ditë fushatë.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu i ka thënë RTK- së se ekzekutivi i mbështet propozimet e partive për shkurtimin e fushatës.
“Ne mbështesim propozimet që fushata zgjedhore të jetë sa më e shkurtër, varësisht nga rekomandimet e IKShPK-së. Beteja me pandeminë është e përbashkët sepse të gjithë përballemi me të njëjtin rrezik, pa dallime”, ka thënë Kryeziu.
Zgjedhjet lokale janë caktuar të mbahen me datën 17 tetor.