Bordi i Korporatës Energjetike të Kosovës e ka emëruar dje Bekir Gërgurin, si ushtrues i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të kësaj ndëemarrje. Sikurse kryeshefi i pezulluar, Nagip Krasniqi, edhe ky ka lidhje me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvëndosje.
Bekir Gërguri ka pranuar sot zyrtarisht detyrat dhe autorizimet e plota për udhëheqjen e të gjitha operacioneve të Korporatës Energjetike të Kosovës, pasi Bordi i KEK e emëroi dje në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv (ushtrues detyre).
Për të njëjtin nuk ka shumë informacione se kush është, mirëpo afërsia me partinë në pushtet është e dukshme.
Gërguri ka qenë kandidat për asamble komunale në Fushë Kosovë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, në zgjedhjet lokale të vitit 2017.
Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Bekiri kishte marrë në ato zgjedhje 47 vota.
Përvec emërimit të Gërgurit, Bordi i KEK dje ka marrë vendim edhe për emërimin e zv. Kryeshefit Ekzekutiv.
“Bordi i Drejtorëve të KEK sh.a. gjithashtu ka emëruar z. Ramadan Budakova në pozitën e zv. Kryeshefit Ekzekutiv (ushtrues detyre) dhe njëkohësisht z. Përparim Kabashi, është kthyer në detyrat dhe përgjegjësitë e tij te cilat i ka ushtruar para emërimit të tij në pozitën e zv. Kryeshefit Ekzekutiv (ushtrues detyre)”, ka njoftuar KEK.