Ish – këshilltari i Presidentit Hashim Thaçi, Adil Behrami, i ka reaguar në një shkrim Kryeministrit Albin Kurti, për miratimin e nismës nga Qeveria për përfundimin e Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes dhe qëndrimit të shtetasve të Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovina, Kosovës, Mali të Zi, Maqedonisë Veriore dhe Serbisë vetëm me letërnjoftim. Sipas Behramit, Kurti dikur e kundërshtonte fusnotën ama tash ai e pranoj krijimin e një Jugosllavie të re.
Ky është postimi i plotë i Adil Behramit
Zona Shengen e ka qarkullimin me vizë të përbashkët dhe funksionon si shtet i vetëm për qëllime të udhëtimit ndërkombëtar, me kontrolle kufitare për ata që udhëtojnë në dhe jashtë zonës, por pa kontrolle të brendshme kufitare për shtetasit që janë pjesë e saj.
Tash edhe Jugosllavia e Re, pjesë të të cilës Qeveria Kurti e bëri edhe Kosovën, me një vizë të përbashkët po e bëjnë udhëtimin për të huajt në gjashtë shtetet e rajonit, ndërsa për ne vetëm me letërnjoftime. Albin Kurti më as nuk mund ta mohojë pranimin e Mini Shengenit, sepse viza e përbashkët është vula e tij.
Ministria e Xhelal Sveçlës së shpejti do t’i ndajë informacionet për çdo qytetar të Kosovës me ministritë e brendshme të Serbisë, Bosnje e Hercegovinës dhe vendeve tjera të rajonit.
Jugosllavia e Re deri dje ishte e papranueshme për Kurtin. Ajo ishte përpjekje e Serbisë për ta rigjallëruar Jugosllavinë, interes i Rusisë dhe çmos tjetër, sepse Kurti fshihej pas patriotizmit dhe kërkonte makroshengen shqiptar.
Por, me të ardhur në pushtet, ai po i jetëson të gjitha ato që i kishte kundërshtuar me opozitarizëm të dhunshëm!
Me atë fusnotën që e kundërshtonte e bëri edhe Jugosllavinë e Re!