Përplasja me ish-Ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliun, e la pa pushtet Vetëvendosjen. Kurti dhe Veliu muaj pas përballjes në nivel qendror do të përballen në atë lokal. Beteja për Podujevën tashmë është bërë më e nxehtë me angazhimin e madh të të dyve.
Qeveria Kurti qe jetëshkurtër, e deklarata e Agim Veliut për “gjendjen e jashtëzakonshme”, ishte ajo që ja vendosi vulën.
Njeriu numër dy në LDK e Ministri i Punëve të Brendshme që nga bisedimet me LVV-në për koalicionin nuk i kishte ndalur akuzat ndaj partisë së Albin Kurtit.
Lidhja Demokratike njoftoi për dalje nga koalicioni po atë ditë që Veliu u shkarkua nga pozita në MPB, derisa pak javë më vonë Kosova u bë me Qeveri të re.
Akuza Vetëvendosje pati ndaj Veliut duke thënë se po kërkonte gjendje të jashtëzakonshme, ani pse një gjë e tillë nuk qe diskutuar si opsion në ekzekutiv.
“Përmes deklaratave të tij të bëra publikisht, por jo edhe të mbështetura me qëndrime të tij në mbledhje të brendshme, Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Veliu ka dëshmuar mungesë të theksuar lidershipi dhe ka minuar hapur punën e qeverisë, pjesë e të cilës ai është. Në këto rrethana jam i detyruar të veproj, andaj edhe kam vendosur të shkarkoj z. Veliu nga detyra e Ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. Unë kam njoftuar Kryetarin e LDK-së, z. Isa Mustafa, për vendimin që kam marrë dhe po ashtu kam kërkuar prej tij që sa më shpejtë të ma dërgojë emrin e ministrit të ri”, shkruhej në njoftimin e Qeverisë.
Dy armiqtë e politikës, muaj pasi që nuk janë përballur për tema qendrore, do të vazhdojnë betejën në nivel lokal.
Lidhja Demokratike e Kosovës është duke tentuar që të vazhdojë pushtetin në Podujevë, me Nexhmi Rudarin, që kishte qenë nënkryetar i komunës sa kishte udhëhequr Veliu, e një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të këtij të fundit.
Për ta bërë këtë është angazhuar sidomos Veliu që i ka rikthyer edhe njëherë akuzat kundër Vetëvendosjes.
Sot ndërkaq, Veliu së bashku me kreun e ekzekutivit, Avdullah Hotin u paraqitën nga Podujeva, duke kërkuar votë për Rudarin.
Personalisht për kandidatin e Vetëvendosjes në Podujevë është angazhuar edhe kreu i LVV-së, Albin Kurti që momentalisht fokusin kryesor e ka aty.
Kurti duke mos qenë fort aktiv në ngjarjet e nxehta politike që kanë ndodhur javëve të fundit, gati çdo ditë është paraqitur nga Podujeva në krah të Shpejtim Bulliqit.
Pos Kurtit, nga Vetëvendosje kanë shkuar edhe disa prej fytyrave kryesore të këtij subjekti.
Njejtë ka ndodhur edhe sot, në ditën kur zyrtarisht është hapur fushata zgjedhore.
Zgjedhjet për të parin e Komunës së Podujevës dhe atij të Mitrovicës së Veriut do të mbahen me 29 nëntor. Kujtojmë që këto dy komuna kanë mbetur pa kryetarë pasi të njëjtit kanë marrë pozita në Qeverinë e Kosovës.