Ku ke ti moj Ajshe…
1. Krejt dynjanë e mori ngrykë, e kur u kthye në Kosovë, dhe e pa vëllain e vet në rrugë, nuk e përshëndeti.
Nuk e përshëndeti vëllain për arsye morale: kur je serioz, nuk flet me vëllain si me vëlla – të huajin e trajton si vëlla, e vëllait s’i flet hiç.
2. Ajshe Sdikushi ka shkuar deri te dardha dhe ka hyrë në këngë, prandaj askush nuk mund t’ia mohojë Albin Kurtit se është kënaqur në Amerikë.
Në Amerikë nuk arriti të takohet me amerikanë, por arriti të takohet me shqiptarë – amerikanë, të cilët i mësoi që t’u flasin në shqip amerikanëve, nëse duan të mos asimilohen.
Asimilimi i shqiptarëve ndodh në Kosovë dhe realizohet me sukses dhe me shumë qejf.
Vullnetarisht prindërit ua mësojnë fëmijëve si gjuhë amtare anglishten, dhe kështu në parashkollor dhe në klasën e parë, për t’u regjistruar në gjuhën shqipe, nevojitet përkthyes.
Shqiptarët mendojnë se nëse njeriu di anglisht është gjenial.
Dhe mendojnë se gjuha angleze është më e bukur dhe më e pasur se gjuha shqipe.
Shqiptarët kanë sevda të madhe të tjetërsohen dhe sidomos të mos flasin shqip.
… nuk e duan shqipen sepse nuk e njohin.
Dje për një serb, 100 shqiptarë kanë folur serbisht, sot, pa pasur asnjë komunikim me amerikanët, shqiptarët flasin anglisht, sepse kur nuk flet shqip je më dikushi, më interesant bëhesh kur nuk kupton shqip.
Je modern nëse s’je shqiptar.
S’ka mundësi të jesh edhe modern edhe shqiptar.
3. Kryeministri ishte mjaft preciz me rastin e lëpirjes së çokolladave zvicrane.
U tregua diplomat kur i tha KFC – së se kaçikat me oriz janë zbulim i shqiptarëve.
Vizitat ushqimore të Albin Kurtit në Amerikë dhe Zvicër u mbyllën me sukses.
KFC ia dhuroi kryeministrit një bust prej kaçiku, kurse drejtorin e fabrikës së çokollatës e njoftoi lidhur me kokrrat e kakaos që dikur ishin pare që rriteshin në degë.
Majanët – tha kryeministri – i kanë shfrytëzuar kokrrat e kakaos si para, prandaj, për ta parandaluar keqpërdorimin e pareve prej çokollade, ndaj kakaos është bërë padrejtësi.
Ne e kemi bakllavën, e cila kërkon flijim të magjetores, sepse pasi t’i tëholloj qindra petë dhe të pres derisa bakllava të piqet për ngadal deri në mëngjes, gatuesja (nëse del e gjallë nga kuzhina) bëhet për ilixhe.
4. Për arsye të panjohura, Kryeministrit iu bë Kosova – ujk dhe për 21 ditë nuk gjeti forcë shpirtërore të kthehet në zyre.
Gjatë kësaj kohe, kanë mbirë sardanet.
Një mimozë është shitur 1 euro. Shtrenjtë.
5. Por, Hekuranit i duket lirë.
I akuzoi shqiptarët që duan t’i keqpërdorin paratë e veta të kursimeve.
‘Të blejnë Iphona me pare të vetat të trusit’ – tha mixha.
Është i ri e flet si plak mesjetar.
6. Një njohës i ekonomisë konstatoi se ‘fyti është vëllai i detit’, por kjo formulë ekonomike nuk vlen për neve motrat, se deti s’ka motër.
Prandaj, unë si pronare e një Iphoni 7+ që është prishur, nuk dëgjohet personi matanë receptorit, dhe duke e ditur këtë fakt një ditë jam shfryrë mirë, nuk lash’ gjë pa i thënë njërit, se e dija se nuk më dëgjon….
7. Ti je ai matrapazi që po e kërkon tek të tjerët, Hekuran Murati. Edhe monoton je.
Mizogjin që i urren gratë.
Më pengon ta blej një Iphon të ri, sepse e di ti se unë shkruaj në lëvizje, në mobil, kam harruar kur kam shkruar në kompjuter.
Unë shkruaj duke ecur.
Prandaj, po e pengon fjalën e lirë, në këtë rast.
Meqenëse kam marrë vendim të mos plakem, unë kam vendosur t’i bëj rrush e kumbulla paret e mia të trustit.
Hiqu ti Isa Mustafës që është kundër atyre që duan t’i harxhojnë paret e veta, sepse ai (sikurse edhe ju fondet e shumta që i keni mbledhur dhe i mbani sekret) është mësuar t’i harxhoj paret e 3 për qindshit.
Nuk jeni mësuar ju t’i harxhoni paret e juaja, si ne, se na kishin kuptuar.
8. FMN ka qenë kundër secilit projekt që i bashkon shqiptarët.
FMN është për ngritjen e çmimi të rrymës për shqiptarët, por nuk është kundër që serbët e veriut ta shfrytëzojnë rrymën falas, e t’ua paguajnë shqiptarët.
FMN është gjithmonë diskriminuese dhe raciste kur janë në pyetje shqiptarët.
9. Një tjetër ish- idiot i trustit tha se ‘paret tona të trustit do t’i çojmë në Durrës! Ani çka?
Mbylle ti gojën.
Pse nuk po të pengon ty që institucionet e qeverisë i mbajnë mbledhjet e punëtoritë fantome nëpër hotelet luksoze të Kosovës, me paret e shtetit.
Pishinat e hoteleve kanë frymëzyar shumë ide gjeniale që po e zhvillojnë departamentin e kënaqësisë fizike të qeverisë Kurti.
10. Ambasadori gjerman në Kosovë ka gjetur probleme luksoze për t’u ndjerë i papërmbushur…
Ai ka shprehur pakënaqësinë e tij se pse Presidentja dhe Kryeministri nuk takohen me serbët e Graçanicēs.
Për kryeministrin po dihet pse – se është patriot, kurse sa i përket Presidentes, ajo ka frikë mos po ia përmendin të atin si shef i sektorit për mbrojtje popullore të Jugosllavisë!
11. PDK: O Albin! –
Albini: O hoja!
PDK: Tu shëtit për ara kodra vend për vend a ma pe në kullosë tufën me dhen!
Albini: Ore Memel!
Menli: O hoja!
Albini: Tufa jote po kullot atje në lendinë bashkë me të miat janë përzi aty po rrinë.
12. Përndryshe, Arbërie Nagavci edhe e ka të punësuar çikën në ministrinë e financave edhe ankohet ‘pse po ma zëni kryt’.
Çka kam faj unë që jam e lumtur!
P.S. Poshtë qeveria!
Autore, Kimete Berisha