Albert Zogaj është zgjedhur sot kryesues i ri i Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Në njoftimin për media thuhet se pas procesit të votimit unanim të anëtarëve të KGjK-së, Albert Zogaj, në pozitën e kryesuesit ka mandat trevjeçar.
Mandati i Albert Zogaj si kryesues i KGJK-së fillon më 7 korrik 2021.
Ai Zogaj shpalosi objektivat e veta përpara anëtarëve të Këshillit duke u zotuar se gjatë mandatit të tij trevjeçar, do të përkushtohet në ngritjen e transparencës, llogaridhënies dhe nivelit të bashkëpunimit me institucione vendore dhe ndërkombëtare.
Anëtarët e KGjK-së, me votim të fshehtë, zgjodhën gjyqtarin Ilmi Bajrami, në pozitën e gjyqtarit mbikëqyrës të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, me mandat dyvjeçar.
Në vijim, anëtarët e KGjK-së, me votim të fshehtë, zgjodhën gjyqtaren Albina Shabani Rama, Kryetare të Gjykatës Themelore në Prishtinë, mandati i së cilës është pesë (5) vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje.
Biografia e gjyqtarit Albert Zogaj
Albert Zogaj është gjyqtar në Gjykatën Supreme, dega civile. Gjyqtari Zogaj ka diplomuar me 30.06.2004, në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, ndërsa studimet post-diplomike në drejtimin Juridiko-Civil i ka përfunduar në vitin 2008.
Nga dhjetori 2004 deri në dhjetor 2005, ka punuar si avokat-praktikat në Odën e Avokatëve të Kosovës. Në shkurt të viti 2006, përfundoi provimin e jurisprudencës ndërsa nga shkurti i vitit 2006 e deri në tetor të vitit 2010, punoi si avokat në Pejë.
Në tetor të vitit 2010 është emëruar gjyqtar në Gjykatën Komunale në Prishtinë, ku ka punuar deri në dhjetor të vitit 2012. Nga viti 2013 deri më 2015 punoi si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë në Departamentin e Përgjithshëm.
Në gusht të vitit 2015 është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Apelit, në Prishtinë, në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Civil. Në shtator 2020 është zgjedhur gjyqtar në Gjykatë Supreme. Prej vitit 2008 punon si ligjërues në Kolegjin AAB, njëkohësisht është edhe trajnues në Akademinë e Drejtësisë, në programin fillestarë dhe të vazhdueshëm të arsimimit ligjor.
Ka punuar dhe ka marrë pjesë në disa hulumtim-punime profesionale me institucione të ndryshme si Qendra Juridike e Kosovës, Qendra për të Drejtat e Njeriut e Universitetit të Prishtinës, Institutit Gjyqësor të Kosovës, etj.
Biografia e gjyqtarit Ilmi Bajrami
Ilmi Bajrami është U.D. i gjyqtarit mbikëqyrës në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës. Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës e ka mbaruar më 1986. Më 2003 ka filluar punën në Ministrinë për Ekonomi dhe Financa në Organin Rregullativ të Prokurimit Publik si analist i prokurimit, (ORPP).Nga viti 2005 në Komisionin Rregullativ te Prokurimit Publik (KRPP), ekspert i prokurimit dhe trajner.Në vitin 2003 nga OSCE është certifikuar në fushën e menaxhimit. Më 2004 nga IAPSO-UNDP dhe nga Crown Agents, certifikohet për fushën e Prokurimit Publik.
Nga Confirmec, certifikohet si Trajner i Prokurimit publik. Më 2005 nga IKAP, certifikohet si trajnues i Administratës Publike. Me datë 29.06.2010, u emërua gjyqtar në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës. Nga data 03 qershor 2014, ushtron funksionin e gjyqtarit në Kolegjin e Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme. Në korrik të vitit 2019 është caktuar ushtrues detyre i gjyqtarit mbikëqyrës në DhPGjS.
Biografia e gjyqtares Albina Shabani- Rama
Albina Shabani- Rama është gjyqtare në Departamentin Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Gjyqtarja Shabani-Rama ka diplomuar në Fakultetin Juridik, Universiteti i Prishtinës në vitin 2004, kurse provimin e jurisprudencës e përfundoi në vitin 2013.
Nga viti 2005 e deri në vitin 2013 ka punuar në Policinë e Kosovës si zyrtare e lartë për Ankesa pastaj edhe zëvendëskryesuese e Komisionit për Ankesa dhe Shpërblime në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Gjyqtarja Shabani-Rama ka mbaruar studimet post-diplomike në vitn 2008 dhe ka marr titullin Master i Shkencave Juridike-Penale. Gjithashtu ka punuar edhe si Inspektore Gjyqësore në Zyrën e Prokurorit Disiplinor nga viti 2013 deri në vitin 2015.
Më 19.05.2015 është emëruar gjyqtare në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe ka vazhduar punën në këtë Departament deri me 30.06.2016. Nga 01.07.2016 është caktuar gjyqtare në Departamentin për të Mitur ku ka punuar deri në qershor të vitit 2019. Në korrik të vitit 2019 është caktuar gjyqtare në Departamentin Special.
Këshilli gjatë mbledhjes aprovoi propozimin për rritjen e numrit të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit nga 52 në 60 gjyqtarë.
Gjithashtu, Këshilli mori vendim për shpalljen e konkursit për zgjedhjen e Kryetarit të Gjykatës së Apelit.
Këshilli autorizoi Kryesuesin për nënshkrimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit në mes të KGjK-së dhe Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, me disa propozime për ndryshime nga anëtarët e Këshillit.
Këshilli aprovoi propozimin e Komisionit për Buxhet për miratimin e kërkesës buxhetore për vitin 2022. Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me dyer të mbyllura për shqyrtimin e tre raporteve mbi faktet dhe provat e mbledhura nga Panelet Hetimore.