Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk e përjashton mundësinë e një sulmi të ri serb në territorin e Kosovës. Ai thotë se “nuk mund të përjashtojmë mundësinë e një sulmi sepse nuk varet nga ne”.
Kështu u deklarua Kurti në një intervistë të dhënë për gjermanen Stern, teksa u pyet se a është mundur një luftë tjetër në Kosovë.
“Kemi një fqinj agresiv që nuk na pranon. Nuk mund të përjashtojmë mundësinë e një sulmi sepse nuk varet nga ne. Por ne mbetemi vigjilentë dhe të mbështetur nga trupat tona dhe ato të aleatëve tanë të NATO-s, të cilët kanë shtuar mbështetjen e tyre që nga sulmet e shtatorit për të garantuar sigurinë e vendit tonë”.
”Përveç kësaj, ne përmbushim standardin e mbrojtjes prej dy për qind të PBB-së duke investuar në ushtri. Nëse ka demokraci, liderët e zgjedhur duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre. Kjo çon në parashikueshmëri. Por diktatura mbart rreziqe. Pyet veten se çfarë do të urdhërojë një ditë Vuçiq policinë dhe ushtrinë e tij”.
”Ne vazhdimisht e ndiejmë agresionin serb: ata kanë 48 baza të avancuara ushtarake dhe xhandarmërie nëpër Kosovë – në formë patkoi”, theksoi Kurti./Paparaci