Muaji gusht, përveç shtimit të fluksit të pushuesve, duket se ka rritur edhe ngjarjet kriminale me pasoja të rënda për jetën.
Në 12 ditët e para të këtij muaji janë shënuar disa ngjarje kriminale me pasoja tragjike, 5 të vrarë dhe 5 të plagosur.
Krimet kanë pasur një shpërndarje gjeografike në të gjithë vendin, si në Durrës, Vlorë, Fier, Elbasan dhe së fundmi në Mirditë.
Seria e vrasjeve do të fillonte në datën 1 gusht, ku në derën e banesës u ekzekutua me breshëri Feriz Bardhi. Një ditë më pas, krismat e armëve do të tronditnin Elbasanin, ku në qendër të qytetit ndodhi një plagosje e trefishtë me armë, por fatmirësisht pa viktima.
Në datën 6 gusht, në orët e pasdites do të ekzekutohej në lokalin e tij pranë plazhit, Arben Beqiraj. Në të njëjtën ngjarje mbetën të plagosur djali dhe një i afërm i viktimës. Dy dite me vone krimi do të godiste jo shumë larg Vlorës. Mbrëmjen e 8 gushtit, në Selenicë u ekzekutua në rrugë Dilaver Tozaj, i njohur edhe me emrin Nikolla Ikonomi.
Seria e vrasjeve do të vazhdonte me mëngjesin e 12 gushtit, ku në afërsi të Fierit u gjet i vrarë me thikë në fyt dhe i hedhur në kanal 23-vjeçari Florian Selimi. Po në të njëjtën ditë, në qendër të Rrëshenit do të ekzekutohej me armë Armando Gjini, i njohur edhe me ermin Tonin Gjini.
Një e përbashkët e këtyre ngjarjeve, me 5 të vrarë dhe 5 të plagosur, është fakti që për asnjërën nga këto krime nuk është arrestuar autori i dyshuar, ku në disa raste është identifikuar nga Policia dhe në disa të tjera nuk ka asnjë emër të dyshuar./a2