Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Përgjithshme, ka ngritur aktakuzë, kundër personit juridik SH.P.K “Kelkos Energy” dhe personit përgjegjës të personit juridik, të pandehurit G.W., për shkak të veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, nga neni 356, paragrafi 6, të Kodit Penale të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, personi juridik SH.P.K “Kelkos Energy” dhe personi përgjegjës i personit juridik, G.W., me datë 30 prill të vitit 2020, rreth orës 16:50, në Deçan, konkretisht në segmentin e rrugës Deçan- Plavë, si pasojë e rrjedhjes së ujit nga kanali (tubacioni) i cili shërben për qarkullimin dhe mbledhjen e ujit dhe dërgimin e tij për furnizimin e hidrocentraleve, të cilat administrohen dhe menaxhohen nga SH.P.K “Kelkos Energy” e si pasojë e rrjedhjes së vrullshme të ujit shembët në tërësi dheu, ku shkakton dëme në rrugën e cila ishte përgatitur për asfaltim, në gjatësi prej tre kilometrave, duke i shkaktuar dëme materiale edhe punë kryesit të rrugës, të dëmtuarës SH.P.K “Lika Trade”.
“Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se është kryer vepra penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, nga neni 356, paragrafi 6,të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Prokurori i shtetit i ka propozuar gjykatës kompetente, që i pandehuri G.W., dhe personi juridik SH.P.K “Kelkos Energy” , të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila ju vihet në barrë.