Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj kryetarit të Komunës së Klinës, Zenun Elezaj. Aktakuza është ngritur lidhur me punësimin e vajzës së Elezajt në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” në Klinë. Ai dyshohet për veprën penale të konfliktit të interesit.
Gazeta Sinjali ka siguruar aktakuzën e këtij rasti në të cilën thuhet se kryetari Elezaj, edhe pse e ka ditur që vajza e tij ka aplikuar në pozitën mjeke e praksës së përgjithshme në QKMF në Klinë, ka marrë pjesë personalisht në çështjen zyrtare-administrative.
Komisioni të cilin sipas aktakuzës e ka formuar vetë ai për zhvillimin e procedurave për themelimin e marrëdhënies së punës bazuar në konkursin publik për këtë pozitë, e ka përzgjedhur vajzën e Elezajt si më të suksesshmen nga kandidatët e tjerë.
“Me dt.20.02.2018 në Klinë si person zyrtar në cilësi e kryetarit të Komunës së Klinës, edhe pse e ka ditur se vajza e tij ka për të aplikuar në pozitën mjeke e praksës së përgjithshme në QKMF në Klinë, ka marrë pjesë personalisht në çështjen zyrtare-administrative duke marr vendim me nr. 112-891-2018 dt. 20.02. 2018 me të cilin ka formuar komisionin për zhvillimin e procedurave për themelimin e marrëdhënies së punës bazuar në konkursin publik me dt.20.02.2018, për pozitën “Mjek i praksës së përgjithshme” (një ekzekutuese), në atë mënyrë që komisioni në fjalë e ka përzgjedhur vajzën e të pandehurit si më të suksesshmen duke e punësuar të njëjtën si mjeke e praksës së përgjithshme në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza”, në Klinë”, thuhet në aktakuzën ndaj Zenun Elezajt.
Lidhur me aktakuzën që i është ngritur, Gazeta Sinjali ka tentuar të marrë një koment nga kryetari Zenun Elezaj, por i njëjti nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.