Ka më shumë se tre muaj që Agjencia e Kosovës për Inteligjencë ka mbetur pa drejtor, kjo pasi Ish-Kryeministri, Avdullah Hoti, e liroi nga detyra Kreshnik Gashin më 29 dhjetor të 2020-tës, e më pas nuk arriti të bie në ujdi me ish-u.d. e Presidentit Vjosa Osmanin për emrin e kryespiunit të ri. I gjithë procesi, tash ka mbetur në duart e Kryeministrit Albin Kurti dhe u.d. të ri të Presidentit, Glauk Konjufca.
Bazuar në Ligjin për AKI-në, në nenin 5.3 përcaktohet se “presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me kryeministrin, emërojnë së bashku drejtorin e AKI-së brenda 20 ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”.
Por kjo nuk ka ndodhur edhe pas më shumë se tre muajsh nga shkarkimi i Kreshnik Gashit, pasi ish-Kryeministri Hoti dhe ish-bashkëpartiakja e tij Vjosa Osmani nuk arritën të pajtohen për emrin e shefit të ri të AKI’së, gjatë periudhës sa të dy udhëhiqnin shtetin.
Megjithatë, siç ka mësuar Gazeta Online “Reporteri.net”, gjatë kësaj periudhe janë propozuar disa emra të kandidatëve për drejtor të AKI-së e që të njëjti edhe i janë nënshtruar procesit të verifikimit nga institucioni që synojnë ta marrin në drejtim.
Latif Merovci, Vlora Hyseni, Drizan Shala e Burim Ramadani janë emrat e propozuar ndarazi nga Presidenca dhe Zyra e Kryeministrit, e që sipas burimeve të Gazetës Online ‘Reporteri.net’ edhe i kanë kaluar testet e verifikimit. Porse, shkaku i mos pajtimit mes ish-ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani dhe ish-kryeministrit Avdullah Hoti, asnjeri nga ta nuk është zgjedhur për tu vënë në krye institucionit të rëndësishëm për sigurinë e vendit.
Madje, i njëjti burim, i ka thënë gazetës se njëri prej emrave të lartcekur, konkretisht Latif Gashi, ishte bërë shkak i përçarjes mes Osmanit e Hotin për AKI-në, pasi ish-kryeministri e kishte preferuar më shumë atë për shef të AKI-së, por ai nuk ishte pranuar nga ish-ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, pasi kjo e fundit kishte preferencë ndaj një emri tjetër të propozuar.
Bekim Kupina, këshilltar për media i ish-u.d së Presidentes Vjosa Osmani, kishte deklaruar për media se emri i të propozuarit nga Presidenca nuk mund të bëhet publik për shkak të konfidencialitetit.
E për shkak të mosdakordimit me Zyrën e Presidencës, ish-Qeveria në detyrë e Avdullah Hotit, para tre javësh, kishte konfirmuar për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ nuk do të bëjnë më asnjë propozim të ri për shef të AKI-së.
“Kryeministri Hoti ka bërë një propozim për këtë post, ndërkohë u.d. e Presidentit ka bërë një propozim, për të cilin nuk janë dakorduar me kryeministrin. Nuk ka dakordim midis tyre për kandidaturat. Nuk ka ndonjë lëvizje pozitive në këtë drejtim. Nuk besoj se mund të ketë një vendim deri në formimin e qeverisë së re”, kishte deklaruar më 2 mars 2021, për Reporteri.net, ish-zëdhënësja e Qeverisë, Antigona Baxhaku.
Siç edhe kishte paralajmëruar ish-Qeveri Hoti, emërimi i drejtorit të AKI-së tash i mbetet Qeverisë së re, Kurti 2. Ndërkohë që aktualisht edhe institucioni i Presidencës, drejtohet nga bashkëpartiaku i Kryeministrit Kurti, Glauk Konjufca, që si Kryetar i Kuvendit të Kosovës, i zgjedhur dje me 69 vota të deputetëve, e ka marrë me automatizëm edhe ushtrimin e detyrës së Presidentit të vendit, deri në zgjedhjen e shefit të ri të shtetit.
Kujtojmë se vetëm në gjashtë vjetët e fundit, në AKI janë ndërruar tre drejtorë. I vetmi që ka përfunduar një mandat të plotë ka qenë drejtori i parë, Bashkim Smakaj, i cili ishte emëruar në këtë post në shkurt të vitit 2009. Një vit pas riemërimit, më 2015 ai kishte dhënë dorëheqje, duke u zëvendësuar nga Agron Selimaj. Ky i fundit po ashtu kishte dhënë dorëheqje dy vjet më vonë, më 2017.
Në vend të tij, më 2017, u emërua Driton Gashi, të cilit iu kërkua të lironte detyrën vetëm një vit pas marrjes së detyrës, për shkak të skandalit me arrestimin dhe dëbimit të gjashtë shtetasve turq. Ndaj tij, sot ka të ngritur edhe aktakuzë për të njëjtin rast që u shkarkua.
Që atëherë, në pozitën e drejtorit të AKI-së ishte emëruar Kreshnik Gashi, të cilit po ashtu iu kërkua largimi nga ky post, në dhjetor të vitit të kaluar.
Bazuar në Ligjin për AKI-në, në nenin 5.3 përcaktohet se “presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me kryeministrin, emërojnë së bashku drejtorin e AKI-së brenda 20 ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”.
Në bazë të ligjit në fuqi, drejtori i AKI-së i përgjigjet drejtpërdrejt kryeministrit.
Po sipas këtij ligji, drejtori i AKI-së shërben si këshilltar i presidentit dhe kryeministrit për çështje të inteligjencës që kanë të bëjnë me sigurinë e Kosovës; njofton presidentin dhe kryeministrin për aktivitetet e AKI-së dhe ofron informata për presidentin dhe kryeministrin sa i përket sigurisë.