Forumi i Rinisë së LDK-së ka dorëzuar kallëzim penal ndaj Ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit dhe Fitore Pacollit, pas marrjes së granteve nga familjarët e deputetes së pushtetit.
Kryetari i Forumit, Paris Guri, ka thënë është e papranueshme që familjarët e deputetes të marrin grante në vlerë prej 100.000 euro, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Këto skandale janë të dukshme. Përveç vëllait, Pacolli ia ka nda edhe dajës së saj 100 mijë uro. Kjo tregon se para publike po keqpërdoret në mënyrën më brutale të mundshme dhe kjo nuk mund të tolerohet në asnjë moment. Kërkojmë nga prokuroria që ky rast të hetohet dhe për këtë rast dikush duhet të shkojë në burg sepse ka shkelje flagrante të ligjit”, tha ai para mediave.
Kurti të rinjve në Kosovë: Ky vend ia vlen fort të jetosh, e të punosh në të dhe për të
Ditëve të fundit është raportuar për favorizime me grante nga Ministria e Bujqësisë.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, e ka hapur “kuletën e Ministrisë” në muajt e fundit të mandatit të tij, duke ndarë shuma të majme. 100 mijë euro në formë granti i janë dhënë vëllait të deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacollit për një shtallë, e 50 mijë tjera i janë ndarë një bashkëpartiaku të tij për ndërtimin e disa villave.
Projekti i Blerim Pacollit është me bashkëfinancim.
“Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë – AZHB/MBPRZH do të financoj projektin tuaj me vlerë 65% nga shuma e pranuar e investimit, pas kryerjes së investimeve, pas kontrollës së dytë në terren dhe llogaritjes së faturave. Koha e kryerjes së investimeve, është paraparë me kontratë. Nëse investimet i përfundoni para afatit të paraparë me kontratë ju mund të lajmëroheni edhe më herët për të bërë kërkesën për pagesë”, thuhet në këtë dokument, që mban datën e 14 qershorit 2024.
Pas Blerim Pacollit, vëllait të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh edhe kryetare e Komisionit për Bujqësi Fitore Pacolli, dyshohet se edhe një tjetër familjar i saj është shpërblyer me grant 100 mijë eurosh nga Ministria e Bujqësisë që drejtohet nga Faton Peci.
Ministria e Pecit raportohet se ia ka ndarë ndarë 100 mijë euro dajës së saj, Sylejman Islamit, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Pas reagimeve të shumta për këtë rast, ka dalë me reagim edhe vetë Ministri Faton Peci.
Peci ka thënë se “Ministri nuk vlerëson, nuk favorizon, nuk diskriminon, nuk miraton e as nuk refuzon individë, si dhe nuk vendos se kush fiton e kush refuzohet në programin e granteve”,.
“Pas këtij pretendimi të LDK-së dhe partive të tjera opozitare simotra PLANS, si dhe për të informuar publikun,(përkundër dëshirës sonë), do të ndajmë të gjithë individët përfitues të granteve që kanë mandat dhe funksion politik. Kjo për t’ua bërë me dije se ne nuk diskriminojmë askënd për shkak të bindjeve politike dhe funksionit politik, sepse kjo është një praktikë e atyre që sot janë në opozitë dhe që nuk kanë mundur të fshehin milionat e vjedhur as nëpër tualete. Përkundër dëshirës mirëpo me qëllim të demantimit të këtyre lajmeve, të hënën do të publikojmë një listë të asambleistëve të LDK-së dhe të partive të tjera që janë përfitues të programeve të ministrisë sonë, për të siguruar që procesi është transparent, i drejtë dhe mbi të gjitha meritor!”, ka shkruar Peci./Reporteri.net/