Vjosa Osmani, e mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje janë në kërkim të sigurimit të kuorumit për thirrjen e seancës në të cilën do të votohet për pozitën e presidentit.
Zgjedhja e presidentit është sfida e parë për qeverinë e vendit.
E hëna e ardhshme është data e fundit kur vendi duhet të ketë presidentin e ri, pasi kështu e parasheh Kushtetuta e Kosovës.
Mandati aktual i presidentit skadon me 5 maj, andaj sipas ligjit dita e fundit kur duhet të zgjidhet presidenti është 5 prilli.
Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 5 prill Kosova do të përballet me një situatë të re, raporton rtvdukagjini.
“Çdo tejkalim i datës 5 prill, është tejkalim i afateve kushtetuese dhe ligjore. Kjo nuk duhet të ndodhë në një sistem të demokracisë parlamentare. Nëse tejkalohet edhe 5 prilli, do të provohet deri me 5 maj ku pas kësaj date Kosova do të përballet me një krizë kushtetuese të paprecedentë”, thotë ai.
PDK-ja e AAK-ja janë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në seancën e zgjedhjes së presidentit të ri, derisa LDK-ja, ka thënë se do të marrë pjesë.