Raportimi i ish-kryetarit të Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons para komisionit për legjislacion të Kuvendit të Kosovës mund të bëjë që ky institucion të formojë një komision hetues për pretendimet e Simmons. Kjo pas deklaratës së këtij të fundit se nëse komisioni vendosë të hap një hetim të plotë, ai do të ofrojë detaje dhe dokumentacion për t’i mbështetur pretendimet e tij.
Kanë kaluar një javë ditë nga raportimi i Simmons para deputetëve të komisionit për legjislacion, e nga pozita thonë se nuk është diskutuar për një komision hetues parlamentar, pasi nuk ka pasur ndonjë kërkesë të tillë.
Ndërsa opozita thotë se do të shoh mundësitë ligjore për inicimin e një hetimi parlamentar. Kurse, njohës të sistemit të drejtësisë deklarojnë se Kosova nuk mund të ndërmarrë një hap të tillë për shkak të obligimeve që ka marrë nga marrëveshjet ndërkombëtare.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa thotë se deklaratat e Simmons janë shqetësuese, teksa shton se misionit të EULEX-it ia kanë humbur edhe kredibiliteti.
“Unë e di që ata (EULEX) gëzojnë imunitetin, nuk e di sa kemi të drejtë ne si Kuvend, por do t’i shikojmë mundësitë ligjore sepse në fjalën hyrëse z.Simmons disa gjëra nuk mund t’i thotë sepse janë sensitive, por mund t’i thotë para një komisioni hetimor. Nuk e di sa na lejohet, por do t’i shikojmë rrugët ligjore de një transkript të tillë, që të marrin masa për të kaluarën e vendimeve të EULEX-it, të cilat kanë qenë një pjesë e tyre të dëmshme. Ai nuk thotë për të gjithë gjyqtarët, thotë ka gjyqtarë kredibilë, por në të njëjtën kohë thotë se ka gjyqtarë dhe prokurorë që kanë punu me mision të Serbisë, dhe thotë se të gjitha lëndët e krimeve që kanë ndodhur në Kosovë, që janë me element të komunitetit serb i kemi dërgu në Beograd. Si mundet ta gjykojë krimin ai që e ka bërë krimin… Me një fjalë z. Simmons me ato deklarata ia ka humbur kredibilitetin punës së EULEX-it”, thotë ai.
Nga pozita thonë se nuk ka pasur ndonjë kërkesë për një komision hetimor parlamentar, që do të verifikonte pretendimet e Simmons.
Deputetja Dorsa Kica-Xhelili thotë në një përgjigje për KosovaPress, se në komisionin për legjislacion nuk ka pasur ndonjë lëvizje lidhur me këtë çështje.
“Nuk ka lëvizje në komisionin për të trajtuar mundësinë e një komisioni hetimor parlamentar për këtë çështje”, thotë ajo.
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj thotë se Kosova nuk ka të drejtë për një hetim parlamentar në rast se dëshiron t’iu përmbahet obligimeve ndërkombëtare me Bashkimin Evropian.
“E para, Kosova nuk ka të drejtë nëse dëshiron t’iu përmbahet obligimeve ndërkombëtare me Bashkimin Evropian nuk mundet të bëjë një hetim parlamentar. E dyta, nëse do ta bënte, do të bënte shkelje të një marrëveshjeje dhe sigurisht që do të kishte ndikim të dëmshëm për Republikën e Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian”, thotë Miftaraj për KosovaPress.
Sipas tij, pretendimet e Simmons mund të shërbejnë si informacion për Republikën e Kosovës vetëm në raport me keqmenaxhimet e EULEX-it, pasi siç thotë ai, hetimet për rolin e këtij misioni kanë përfunduar me vendime të organeve kompetente.
“Për Republikën e Kosovës do të ishte një hap i keq, i dëmshëm nëse do të bëhej çfarëdo hetimi parlamentar pasi do të shkeleshin parimet dhe obligimet që i ka marrë Kosova me marrëveshjen me Bashkimin Evropian. Në anën tjetër, është botërisht e ditur që Bashkimi Evropian, qoftë përmes Zyrës së Auditimit, qoftë përmes zyrave tjera ka bërë hetime jo vetëm për z. Simmons, por edhe për të tjerët që kanë ngritur dyshime sa i përket rolit të EULEX-it dhe ato hetime kanë përfunduar me vendime të organeve kompetente, të cilat mund të themi se e kanë përmbyllur këtë fazë sa i përket pretendimeve të z. Simmons”, thotë ai.
Ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons ka raportuar për tri orë rresht përmes një videolidhjeje para komisioni për legjislacion, mandate, imunitete, rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit të Kuvendit të Kosovës.
Ai ka deklaruar se EULEX synon eliminimin politik të “peshqve të mëdhenj”, teksa ka thënë se Gjykata Speciale është një etnike dhe si e tillë duhet të kundërshtohet.
Simmons ka deklaruar po ashtu se mund të ofrojë dokumentacion dhe dëshmi para një komisioni hetimor për të gjitha pretendimet e tij