Lëvizja Vetëvendosje po përflitet për përpjekje për ndërtimin e një shumice të re qeverisëse, por sipas Partisë Demokratike të Kosovës, nuk ka pasur asnjë kontakt zyrtar me ta.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar në një intervistë për Klan Kosova se nuk ka ardhur asnjë ftesë për takim nga Vetëvendosje.
“Nuk do ta kishim fshehur sikur të kishte ardhur, sigurisht se do ta bënim publike. Nuk ka ardhur asnjë letër në adresë të PDK-së”, tha Çitaku.
Deklarata vjen në një moment kur mediat dhe analistët flasin për tentativa të reja për krijimin e një konfigurimi të ri parlamentar, pas tensioneve të brendshme brenda VV-së dhe përplasjes së deklaratave ndërmjet Donika Gërvallës dhe Glauk Konjufcës rreth numrave për qeverinë e re.
Çitaku shtoi se PDK nuk frikësohet nga takimet politike, por zgjidhja e partnerëve të qeverisjes është një çështje e veçantë:
“Ne nuk duhet të frikësohemi asnjëherë të flasim me njëri-tjetrin. Po flas personalisht më shumë sesa zyrtare partiake, unë s’i frikësohem takimit me askënd. Mirëpo me kë zgjedh të qeverisësh, pastaj është çështje tjetër”, përfundoi ajo.
Ky reagim pritet të thellojë edhe më shumë paqartësitë politike në vend dhe hedh dyshime serioze mbi sinqeritetin e deklarimeve të VV-së për shumicën e re parlamentare.