Qytetarët që duan të marrin pjesë në dasma, të shkojnë në lokale nate e qendra tregtare, do të duhet që të kenë një dëshmi se janë të vaksinuar së paku me një dozë të vaksinës anti-COVID, në mënyrë që t’iu lejohet hyrja. Por, a do të jetë ky kusht edhe për mërgimtarët?
Oda e Hotelerisë dhe Turizimit ka njoftuar se dje kanë mbajtur një takim me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitinë, pas rritjes së numrit të rasteve gjatë ditëve të fundit.
Në fund të këtij takimi, ata kanë dalë me një vendim. Nga data 20 gusht, çdo qytetari që dëshiron të marr pjesë në çdo aktivitet shoqërorë, qoftë qendër tregtare, klube të natës apo në ahengjet familjare, do t’i kërkohet dëshmi që është vaksinuar.
“Çdo qytetar i Kosovës në mënyrë që të marë pjesë në çdo aktivitet shoqërorë, qoftë qendër tregtare, klube të natës apo në ahengjet familjare obligohet që të marë vaksinën anti-covid, sepse nga data 20 gusht do të kërkohet që të paktën dozën e parë ta kenë të përfunduar përndryshe nuk mund të marrin pjesë në asnjë aktivitet”, ka njoftuar Oda.
Një dëshmi e tillë do t’iu kërkohet edhe mërgimtarëve.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express Drejtori i Odës së Hotelerisë dhe Turizimit, Hysen Sogojeva.
“Po, sa të qëndron këtu në Kosovë vetëm me ligje të Kosovës”, është përgjigjur Sogojeva, kur është pyetur nëse kjo vlen edhe për mërgimtarët.
Ndryshe, në takimin e mbajtur dje është vendosur edhe që t’iu zgjatet orari klubeve të natës.
“Ndërsa sa i përket stafit punues të këtyre sektoreve obligohen që deri më datë 12 gusht të përfundojnë të paktën dozën e parë të vaksinimit. Gjithashtu sa i përket orarit të klubeve të natës u bisedua që të ketë zgjatje pra këto aktivitete të fillojnë nga ora 23:00 deri në ora 03:00 pas mesnate. Këto vendime priten të hynë në fuqi me datë 11.08.2021”, thuhet në njoftimin e Odës.
Takim me Ministrin e Shëndetësisë kanë mbajtur edhe Shoqata e Gastronomëve.
Nga kjo shoqatë kanë thënë see kanë parë të nevojshme që nga java e ardhshme punëtorët e këtij sektori të pajisen me certifikatë të vaksinimit.
“Kjo e fundit, nga java e ardhshme do të fillojë të jetë e nevojshme edhe për stafin e gastronomisë që të jenë të pajisur me certifikatë të vaksinimit, në kuptim të operimit të biznesit, dhe do të pasojë pas më së shumti dy javësh edhe nevoja që qytetarët të kenë së paku një dozë të vaksinës, në rast të frekuentimit të të gjitha lokaleve të gastronomisë, si restaurante, kafiteri, salla të dasmave, klube të natës dhe aktivitete tjera?”, thuhet në njoftim.