Një letër e Hashim Thaçit ka shumë gjasa që sot ditën të niset në drejtim të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për t’i kërkuar një mandatar për një Qeveri të re, pasi pas katër letrave, Kryetari i VV-së dhe kryeministër në detyrë, Albin Kurti nuk ka dhënë një mandatar tjetër, shkruan Reporteri.
Reporteri mëson se tashmë po konsiderohet si opsion që e marta, sot, të jetë dita kur letra i dërgohet LDK-së dhe kjo më pas të njoftojë se ka numrat dhe emrin e kandidatit.
Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së ka aprovuar para disa dite një koalicion të mundshëm LDK-AAK-Nisma dhe të tjerët.
Madje siç edhe po diskutohet në tabore politike, kjo javë mund të na e sjellë edhe Qeverinë e re.
Nëse sot LDK e merr mandatin për Qeveri, atëherë gjatë ditës ka mundësi që ta zyrtarizojë edhe arritjen e një koalicioni qeverisës me AAK-në, Nisman dhe të tjerët
Kësisoj, llogaritet që gjatë kësaj jave të mblidhet Kuvendi dhe ta votojë Qeverinë e re.
Isa Mustafës po i kërkohet të jetë kandidat nga e gjithë partia. Ai nuk e ka mohuar mundësinë, por ka mbetur, siç tha ai, për tu vendosur. Të gjithë në partinë e tij e duan atë kryeministër.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi paralajmëroi dje hapa final për një Qeveri të re. Një postim i tij në Twitter u shpërnda dhe u përkrah nga Richard Grenell, i dërguar special i Presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi.
Ky madje paralajmëroi rinisje të shpejtë të dialogut.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka akuzuar dje Grenellin për një pjesëmarrje në rrëzimin e tij dhe se prapa qëndron ideja për një marrëveshje të shpejtë dhe të dëmshme për Kosovën, siç mund të konsiderohet shkëmbimi i territoreve. Grenell e ka mohuar disa herë këtë.
Kurti po e kundërshton një opsion të Qeverisë së re, pasi thotë se Kushtetuta parasheh zgjedhje. Nuk dihet ende se cili do të jetë reagimi i VV-së nëse LDK caktohet për mandatar.
Partia Demokratike e Kosovës, partia që ka qeverisur për një dekadë ka mohuar opsionin që ajo të marrë pjesë në çdo qeveri dhe votimin e saj.