Sipas hulumtimit të IKD-së, 28 kandidatë për deputetë në telashe me certifikim, janë të dënuar në tri vitet e fundit.
Premtuan se nuk do të fusin në lista kandidatë për deputetë që kanë aktakuza.
Por ky premtim i partive politike doli të jetë jo fort serioz.
Ani pse neni 29 i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, përcakton qartë kriteret që duhet t’i, përmbusin kandidatët që synojnë të bëhen deputetë, partitë po vazhdojnë të përfshijnë persona që po përballen me ligjin.
Këtë së paku e konfimon hulumtimi që kanë kryer Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Sipas hulumtimit të kryer nga ky ekip i monitoruesve, Lëvizja Vetëvendosje, e cila garës i hyri së bashku me Vjosa Osmanin ka më së shumti kandidatë me aktakuza aktive.
Prej kësaj partie janë 11 kandidatë për deputetë me aktakuzë aktive , 2 prej të cilëve janë të dënuar.
Po LVV nuk është partia e vetme që ka në listën e saj kandidat me aktakuza aktive.
Ndërsa Partia Demokratike e Kosovës i ka 6 kandidatë me aktakuza.
Nga Lista Serbe janë dy kandidatë për deputetë me aktakuza. Ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës është vetëm një kandidat me aktakuzë.
Sidoqoftë, listat e kandidatëve do dërgohen për verifikim në gjashtë institucione, në mënyrë që më pas të certifikohen.
“Me qëllim të zbatimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të bashkëpunojë me disa institucione të cilat kanë rolin e tyre gjatë zhvillimit të periudhës së aplikimit/çertifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre. Në këtë drejtim, KQZ-ja do të dërgojë kërkesë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Ministri të Jashtme dhe Ministri të Mbrojtjes, për verifikim të kandidatëve sipas nenit 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Në bazë të planit opercional të miratuar nga KQZ-ja, ne presim përgjigje për verifikim të kandidatëve nga institucionet që përmenda më lartë, deri më 20 janar, pasi në bazë të këtij plani është paraparë që listat me emrat e kandidatëve t’ua dërgojmë më 18 janar.”.
E për ta kryer verifikimin, institucionet e përmendura, kanë kohë vetëm dy ditë.
Nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, për T7 kanë treguar nëse u mjaftojnë vetëm dy ditë kohë për të verifikuar 1079 kandidatë për deputetë.
“Ne si KGjK tashmë e kemi një databazë në të cilën janë të regjistruar të gjithë personat e dënuar me Aktgjykime të formës së prerë. Të dhënat nga ky regjistër mund të verifikohen në një kohë shumë të shkurtër dhe të shpejtë. Dy ditë, për të bërë këtë verifikim janë mëse të mjaftueshme për ne si institucion. Procesi i verifikimit është fare i thjeshtë, meqë thjeshtë verifikohet nëse ndonjë kandidat i subjekteve politike ekziston në këtë databazë apo jo.”
Edhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se një person i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të ketë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Kosovës.