Partia Demokratike e Kosovës nuk ka qëndrim ende për protestën e thirrur nga Partia Socialdemokrate për të kundërshtuar shtrenjtimin e energjisë elektrike në Kosovë.
Deputeti i këtij subjekti, Xhavit Haliti ka thënë se PDK nuk ka diskutuar ende për këtë çështje, megjithatë ka thënë se shtrenjtimi eventual i energjisë do të jetë barrë e madhe për qytetarët e vendit dhe shtetin e Kosovës.
“PDK nuk ka diskutuar ende, nuk mund të them se do të marr pjesë PDK ose jo. Unë mendoj se qytetarët mund të protestojnë, por shtrenjtimi i energjisë do të bëhet, sepse tregu është i tillë. Qytetarët, nëse kanë pakënaqësi me shtrenjtimin, secili e ka vetëdijen e vet dhe protestat paqësore me leje janë të lejuara. E kam parasysh gjendjen e rëndë ekonomike që e kanë qytetarët, shtrenjtimi është i madh, por të njëjtën kohe kam një mendim që energjia meqë se prodhojmë vet, pjesa që blihet është shtrenjte shumë dhe duhet me pas parasysh edhe këtë aspekt”, ka thënë Haliti për Indeksonline.
Më tutje, zyrtari i lartë i PDK-së ka thënë se Qeveria do të duhej me marrë masa për familjet që kanë kushte të vështira të cilat s’kanë të ardhura të mjaftueshme të gjej forma për t’ua rimbursuar pjesën e shtrenjtimit të energjisë elektrike.
“Ky do të ishte një variant që do t’ua mundësonte njerëzve me pas energji elektrike dhe mos me pas problem me pagesa, në të kundërtën, nëse shtrenjtohet shumë dhe njerëzit s’kanë me pagu do të jetë një problem i madh edhe për qytetarët edhe për shtetin”, ka përfunduar Haliti.
Kujtojmë se një ditë më parë në Kuvendin e Kosovës është mbajtur një seancë e jashtëzakonshme për këtë çështje, në mungesë të kuorum rezoluta e propozuar nga partitë opozitare nuk është hedhur në votim.
Partitë tjera parlamentare nuk janë deklaruar nëse do ta mbështesin protestën e thirrur nga PSD për këtë të shtune në ora 14:00.