Lideri i VV’së Albin Kurti dhe kreu i NISMA Fatmir Limaj do të takohen edhe sot për të parë nëse do të mund të arrijnë marrëveshje për të qeverisur bashkë.
Ata kanë pasur një takim mbrëmë vonë, ndërsa Gazeta Express merr vesh se do të takohen në ora 9:00 në përpjekje për të arritur një marrëveshje para orës kur 10:00 mbahet seanca konstituive e Kuvendit të ri.
Dy politikanët tashmë kanë diskutuar për koalicionin VV-Nisma, që bashkë me deputetët e pakicave joserbe, nëse do të arrihej marrëveshje me të gjithë, për t’i siguruar 62 vota, që është një më shumë, sa duhen për votimin e qeverisë.
“Nisma ka kërkuar postin e kryetarit të Parlamentit dhe një pako të ligjeve të domosdoshme sipas kësaj partie që duhet miratuar në Kuvendin e Kosovës, përfshirë edhe atë për pragun elektoral. Gjë që ende nuk ka përgjigje nga Kurti, i cili këto ditë është takuar me Fatmir Limajn” ishin informatat e transmetuara mbrëmë gjatë debatit në “Pressing”.
Ndërsa merret vesh se Kurti i ka ofruar Limajt partneritet afatgjatë të ngjashëm me GUXO dhe Alternativën.
Sidoqoftë, nuk dihet nëse Kurti e Limaj do të gjejnë gjuhën e përbashkët për këto kërkesa apo nëse formimi i institucioneve të reja do të zvarritet më tej.