Në takimin mes Kosovës e Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, do të shtrohen për diskutim të gjitha çështjet e mundshme.
Kështu ka deklaruar një Këshilltar i Lartë i Donald Trump, kur u pyet nëse delegacioneve mund t’u ofrohet një marrëveshje e ngjashme me atë të arritur mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, thuhet në transkriptin e dërguar për Klan Kosovën nga Shtëpia e Bardhë.
”Ne do të analizojmë nëse ato bëjnë – apo jo – ekziston dëshira nga palët për të folur për këto çështje. Mendoj se do të paraqesim pothuajse çdo çështje. Por do të varet nga palët nëse ata duan apo jo të ecin përpara”, njofton Klan Kosova.
Më tej Këshilltari i Lartë i Presidentit Donald Trump, thekson që SHBA nuk kanë asnjë plan sekret që do të prekte palën kosovare dhe atë serbe në këtë proces negociatash.
”Ne nuk kemi diçka që do të kërkojmë”.
”Ajo e vetmja gjë që ne do të kërkojmë është: Nëse doni ndihmën e Shteteve të Bashkuara, nëse doni dollarë zhvillimi nga Shtetet e Bashkuara, atëherë duhet të ketë përparim në frontin ekonomik”.
”Ne nuk duam të harxhojmë paratë tona dhe kështu nuk duam të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë nëse nuk po funksionon”.
”Nuk mendoj se është e drejtë për taksapaguesit amerikanë”.
”Kështu që ne do të analizojmë nëse palët janë të interesuara apo jo. Dhe mendoj se kjo është një çështje që sigurisht do të hidhet – do të hidhet në tryezë – do të thotë, për diskutim”.