Banorët e fshatit Shalë të komunës së Lipjanit protestuan sot kundër gurthyesit i cili gjendet në këtë lokalitet. Sipas tyre, puna e këtij gurthyesi po ua dëmton ambientin dhe shtëpitë.
Banorët e këtij fshati zgjodhën të protestojnë, për siç thanë, kundër shkatërrimit të natyrës.
“Kjo natyrë, kjo bukuri që mund ta quajë Mekë e Vatikan për Shalën të na keqpërdoret nuk është mirë. D.m.th pakënaqësia është e madhe. Unë si kryetare jam duke shkuar hap pas hapi nëpër institucione, pasi duhet ta ndjekim anën ligjore. Përgjigjet kthehen në javën në vijim”, tha Gjyle Hoti Korpuzi, kryetare e fshatit.
“Aty ku më ka ra djali këta e kanë vendosur dheun përmbi. Çka do me thënë ti me shkel gjakun e lirisë.Urani nuk është vetëm djali jem, është i krejt Kosovës”, ka theksuar Liman Amërllahu, babai i dëshmorit Uran Amërllahu.
Ndërkaq, organizatori i kësaj proteste ka theksuar se fatkeqësia më e madhe është se nga ky gurthyes janë të rrezikuar më së pari nxënësit, dhe si rrugë është shumë e ngushtë.
“Kemi problem me ujëra, kemi problem me shumë gjëra. Edhe plasaritje të shtëpive. Sipas mendimit tonë dhe qytetarëve të Shalës ky gurthyes nuk e plotëson asnjë kusht. Kjo rrugë lidhet prej Prishtinës, Komoranit deri në Malishevë. Gurët që i shihni mbrapa kanë rënë prej atij kërrshit lart, kurse edhe gurët tjerë janë shumë afër me ra”, ka theksuar ai.
Banorët protestues u shpërndanë të qetë teksa deklaruan se do të vazhdojnë me protesta deri në realizimin e kërkesave të tyre.