Vetëm nga janari deri në muajin tetor 2023, bankat komerciale në Kosovë kanë arritur që t’i shtojnë fitimet e tyre për gjithsej 141 milionë euro. Për vetëm një muaj, të njëjtat kanë fituar 18 milionë euro, pasi deri në fund të shtatorit – profiti i tyre ishte 123.7 milionë euro.
Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për rrjedhën e sistemit financiar për muajin tetor të vitit 2023, të hyrat totale në këtë sektor ishin në vlerë të 357.4 milionë eurove. Prej tyre, gjithsej 265.6 milionë ishin të hyra vetëm nga interesi. Ndërsa, shpenzimet totale të këtij sektori për këtë periudhë ishin 216.3 milionë, kurse shpenzimet për interes ishin në vlerë të vetëm 33.0 milionë eurove.
Ndërkohë, normat efektive të interesit në muajin tetor ranë në vlerën 6.4% nga 6.5% sa ishte në shtator dhe 6.7% sa ishte në muajin gusht të këtij viti. Norma e interesit për kreditë e dhëna për ekonomitë familjare në këtë periudhë mbeti 6.2% siç ishte në shtator, kurse për ato konsumuese ra në 6.5% nga 6.6% sa ishte në shtator, kurse ajo për kreditë për korporatat jofinanciare ra në 6.6% nga 670% sa ishte në muajin shtator të këtij viti.
Në anën tjetër, vlera totale e shumës së dhënë për kredi deri në muajin tetor të këtij viti, arriti në 4 miliardë e 833.9 milionë nga 4. 791.1 milionë euro sa ishte vlera në shtator. Prej gjithë kësaj shume, 1 miliardë e 874.3 milionë euro ishin kredi për ekonomitë familjare, 2 miliardë e 925.8 milionë tjera për korporatat jo financiare dhe 16.1 milionë euro për korporatat tjera financiare.
Kurse depozitat e qytetarëve të ruajtuara nëpër bankat komerciale në vend, deri në fund të muajit shtator 2023, arritën në 5 miliardë e 875.9 milionë euro, nga 5 miliardë e 853.4 milionë sa ishte vlera e tyre në shtator.
Aktualisht, vlera totale e aseteve të sektorit bankar në vend, është 7 miliardë e 174.9 milionë euro.
Kujtojmë se edhe gjatë vitit 2022, fitimi neto i këtyre institucioneve bankare në vend kishte shkuar mbi 140.3 milionë euro, duke e tejkaluar kështu mesataren disavjeçare që zakonisht ishte përmbyllur me nga 80-100 milionë euro.
Ndryshe, në vendin tonë aktualisht janë duke operuar gjithsej 12 banka komerciale, 9 prej të cilave janë banka me kapital të huaj. /Buletini Ekonomik