Organizata jo-qeveritare Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist, ka bërë të ditur se të enjten nga ora 17:30 do të organizojë marsh solidarizues për Palestinën në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, që do të vazhdojë deri tek objekti i Qeverisë.
“Këtë të enjte ne mblidhemi në shesh për të kërkuar armëpushim të menjëhershëm dhe solidaritet mbarëkombëtar me popullin palestinez
Për më shumë se një muaj, Izraeli është duke e mbajtur nën terror popullin palestinez. Vetëm brenda kësaj periudhe, shteti izreaelit ka vrarë mbi 11 mijë palestinezë prej tyre rreth 4,000 fëmijë, ka bombarduar spitale, ka dëbuar, burgosur e lënë pa ushqim, rrymë e shërbime tjera elementare, duke ua bërë jetën të papërballueshme shumicës tjetër që vazhdojnë të jenë gjallë në Gaza dhe Bregun Perëndimor”, thuhet në njoftimin e tyre.
“Ne qëndrojmë në solidaritet me popullin palestinez dhe çdo civil të pafajshëm izraelit. Megjithatë, ndonëse kundërshtojmë politikat dhe krimet e Hamasit, ne nuk i bashkojmë zërat tanë me ata që në emër të barazimtarive janë duke u shndërruar në financues të gjenocidit ndaj Palestinës”, vijon njoftimi.
Të dielën kjo organizatë vendosi flamurin e Palestinës në qendër të Prishtinës, në ditën kur Izraeli do të luante me kombëtaren e Kosovës në futboll në kuadër të kualifikimeve “Euro 2024”.