Kurti: Serbia si aleate e Rusisë tentoi të kopjojë skenarin e Donbasit me qëllim të pushtimit të veriut
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nga Liverpooli i Mbretërisë së Bashkuar, deklaroi “se Serbia, si një aleate e Rusisë, tentoi që të kopjojë skenarin e Donbasit me qëllim të pushtimit të veriut”.
Kështu u shpreh kryeministri në kuadër të Konferencës së Partisë Laburiste që po mbahet në Liverpool.
“Serbia, si një aleate e Rusisë, tentoi që të kopjojë skenarin e Donbasit me qëllim të pushtimit të veriut. Rritja e pranisë ushtarake serbe në kufirin me Republikën e Kosovës u përshkrua si e paprecedentë nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, kurse pamjet e sekuestruara nga dronët që ishin në posedim të grupit terrorist zbuluan se trupat paramilitare ishin trajnuar në bazat zyrtare të ushtrisë serbe, duke dëshmuar kështu në mënyrë të pakundërshtueshme përfshirjen e drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë në planifikim të sulmit që u krye dy javë më parë në Banjskë, me 24 shtator”, është shprehur Kurti, njofton zyra e tij.
Kurti theksoi se e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës, sikurse as paqja dhe siguria e Evropës nuk mund të mbahen peng nga Serbia, dhe se perspektiva për paqe, drejtësi, dhe prosperitet në një kohë me plotë sfida varet nga ajo çka zgjedhim të bëjmë dhe si zgjedhim të veprojmë së bashku.
Gjithashtu, ai u shpreh i nderuar për mundësinë që t’i drejtohet me një fjalim pjesëmarrësve në konferencë.
Ndikimi i Partisë Laburiste në fatin e Kosovës ka qenë i rëndësishëm dhe i madh, deklaroi kryeministri.
Dy prej momenteve më të rëndësishme në historinë e vonshme të Kosovës janë vitet 1999 dhe 2008, çlirimi përkatësisht, pavarësia, gjatë të cilave, Partia Laburiste ishte në pushtet në Mbretërinë e Bashkuar.
“Në vitin 1999, nën udhëheqjen e Tony Blair, Mbretëria e Bashkuar ishte pjesë e intervenimit ushtarak të NATO-s, për të ndaluar vazhdimin e fushatës gjenocidale nga forcat serbe… pastaj në shkurt të vitin 2008, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Mbretëria e Bashkuar, me Gordon Broën si kryeministër, ishte një nga vendet e para që njohën shtetësinë e Kosovës”, deklaroi kryeministri Kurti ndër të tjera në fjalën e tij.