Egzonë Bulliqi, vajza e kryetarit të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, është punësuar në Agjencinë Kosovare të Privatizimit në pozitën ‘ofrues i shërbimeve – Zyra rajonale Prishtinë’.
“Pas përfundimit të procedurës së rekrutimit Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) bënë njoftimin për kandidatet e suksesshëm të rekomanduar për emërim nga Komisioni Përzgjedhës i Shërbimit Civil (KPSHC) të AKP-së dhe të miratuar nga Drejtori Menaxhues”, thuhet në vendimin e AKP-së.
KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me kryetarin, Shpejtim Bulliqi, por i njëjti nuk e ka hapur telefonin, ndërsa redaksia ka provuar ta kontaktojë edhe përmes mesazhve.
Ndërsa KALLXO.com ka kontaktuar zëdhënësin e Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, i cili tha se Egzonë Bulliqi punon në AKP tash e tri vite.
Ndërsa kontrata për pozitën që është pranuar është vazhdimësi e punës dhe është kontratë për gjashtë muaj.
“Kjo kontratë është vetëm vazhdimësi e asaj prej 2019, është kontratë për shërbime të veçanta. Egzona veç e kryen detyrën në AKP zyrën rajonale si zyrtare për shërbime për likuidim dhe ka më shumë se tre vjet që e bën këtë punë. Është e njëjta, iu ka vazhdu edhe gjashtë muaj të tjerë”, tha ai.
Kryeministri Albin Kurti në maj të vitit të kaluar kishte premtuar se do t’i qëndronin pas deklaratave të tyre për shuarjen e AKP-së.
“Ne i dalim zot premtimeve tona për qytetarët e Republikës së Kosovës të cilët në mënyrë plebishitare na e kanë dhënë votën dhe realizuar fitoren. 50.28 për qind kanë votu për fitoren tonë fitore e pa parë në Kosovën e pasluftës. Kemi thënë se AKP do të shuhet dhe AKP do të shuhet. Që të shuhet AKP-ja duhet të shkarkohet një herë bordi, sepse kanë vjedhur shumë”, kishte thënë Kurti më 27 maj të vitit 2021.