“E vrava unë.” Mediat italiane kanë zbardhur detaje të reja tronditëse pas rrëfimit të nënës 23-vjeçare e cila vrau vajzën e saj të mitur, vetëm 5 vjeç në Katania.
Vogëlushja 5-vjeçare ishte qëlluar disa herë me thikë në qafë dhe në shpinë.
Më pas 23-vjeçarja mori trupin e vogël, e futi në çanta të zeza dhe e varrosi në tokë pranë shtëpisë së saj.
Martina Patti u dorëzua dhe pranoi krimin pasi u mor një natë të tërë në pyetje.
Ajo pranoi se e kishte vrarë fëmijën pasi e kishte marrë dje nga kopshti në Tremestieri Erneo dhe inskenoi rrëmbimin e saj nga persona të armatosur.
Por motivi mbetet i paqartë.
“Është sikur të thoshte; e bëra, por nuk e di pse”, shpjegojnë karabinierët.
Për hetuesit, megjithatë, ekziston një hipotezë: xhelozia.
Xhelozi kundër ish-burrit Alessandro Del Pozzo, 24 vjeç dhe afeksionin që Elena tregonte për partneren e re të babait të saj.
Hetimet nxorën në dritë një “pamje të trishtë familjare”: pas menaxhimit “në dukje të qetë” të fëmijës, fshiheshin tensione dhe sherre.
Një zemërim që do të vlonte brenda Martinës deri në atë pikë sa ta çonte atë të paramendonte krimin me një plan të studiuar në detaje.
“Shkëndija” mund të ishte mbrëmja e Elenës me gjyshërit e saj nga babai dhe lumturia që vajza e vogël tregoi duke u takuar me gruan që mund të bëhej gruaja e re e babait.
Një mbrëmje para se të vritej, vogëlushja kishte fjetur me gjyshërit. Të nesërmen në mëngjes halla e saj e shoqëroi në kopsht dhe nëna e saj e mori në orën 13:30 dhe u kthye në shtëpi në Mascalucia.
Më pas Martina Patti doli sërish me makinën, për tu kthyer shumë shpejt. Pikërisht në këtë periudhë kohe u krye krimi midis shtëpisë dhe tokës së braktisur 600 metra larg, ku nëna varrosi trupin e vogël që ishte fshehur në pesë qese të zeza plastike. Trupi i vogëlushes ishte gjysmë i varrosur dhe nëna kishte përdorur një lopatë dhe një kazmë që e mbanin në kopsht.
Më pas ajo njoftoi prindërit dhe babain e vogëlushes për rrëmbimin e rremë. Së bashku me nënën dhe babain e saj 23-vjeçarja shkoi në komisariat për të raportuar ngjarjen.
Por e vënë nën presion për orë të tëra nga hetuesit, ajo rrëfeu se e kishte vrarë vogëlushen.
Mësohet se arma që kishte përdorur ishte një thikë kuzhine, por nuk u gjet. Një ekzaminim fillestar i kryer nga mjekja “zbuloi plagë me thikë në zonën e qafës dhe shpinës”.
Prokurori urdhëroi një autopsi për të përcaktuar me siguri se si vdiq fëmija.