Gjykata Supreme para dy ditësh ia ka vërtetuar dënimin prej 12 vitesh burgim Zoran Gjokiqit i dënuar për krime lufte.
Avokati Kujtim Kërveshi ka treguar për T7, se si Gjokiq ka marrë pjesë në akuzën se gjatë muajit mars – prill të vitit 1999, në lagjen “Kristal” të Pejës, duke bashkëvepruar me një grup të organizuar kriminal, të veshur me uniforma policore kishin shkaktuar vuajte të mëdha duke aplikuar masa të frikësimit, ndaj popullatës së pambrojtur civile, vrasje, plaçkitja, shpërngulje me dhunë të popullsisë civile..
“Mënyra se si ka ndodhur ngjarja në lagjen “Kristal”, që në atë kohë ka qenë paralagje e Pejës, një lagje shumë e re ku edhe banorët atë kohë nuk janë njohur mirë mes veti, sepse ka qenë një lagje e populluar me banorë të ardhur nga disa zona, qoftë nga Peja apo zona që s’kanë qenë të Pejës. Veprimi që mu pastaj më ka shty me kuptu dhe me hulumtu tutje ka qenë veprimi i atij komandanti të asaj njësie në mënyrën se si e ka vrarë viktimën e parë. Nga përshkrimi faktik që i është bërë vetullave të tij, pastaj me kalimin e kohës kemi ardhur në konkludimin që bëhej fjalë për një person jashtëzakonisht të famshëm, për të keq ndaj shqiptarëve por edhe ndaj boshnjakëve në Bosnje. Bëhej fjalë për Nebojsha Miniq, i cili është zyrtarisht i deklaruar për herë të dytë i vdekur”, tha ai.
Foto e kriminelit serb
Kërveshi foli edhe për rolin që kishte Gjokiq në këtë grup serbë. Sipas tij ai ka qenë pjesë e një grupi vullnetarësh që ishte bashkuar ushtrisë së Serbisë.
“Mendoj që Serbia e shpallë atë të vdekur sa herë i duhet Republikës së Serbisë. Gjokiq ka jetuar në ‘Soliter’, është përballë policisë apo gjykatës në Pejë. Ky ka qenë një kamerier i thjeshtë. Është shumë interesant, sepse Republika e Serbisë atëherë pati bërë thirrje për militarizim apo për secilin. Sipas informatave ky ka qenë Pejës në një grupi vullnetarësh që i janë bashkuar personit që e thashë më herët. Ka qenë një komandant brutal, një kriminel ordiner”, tha ai.
Ai ka treguar edhe për vrasjen e një anëtari të familjes Zeqiraj në Pejë.
“Familja Zeqiraj ka qenë familje dhe është akoma e njohur në Pejë. Hilmu ka qenë një esnaf i respektuar në Pejë. Viktima e parë. Është interesant komunikimi i këtij komandanti. Në oborrin e shtëpisë i kanë nxjerr gjithë anëtarët e familjes dhe i kanë ndarë 3-4 burra dhe i kanë fut në një hapësirë këndej mureve që të fshihet komunikimi. Ai e ka pyetur Hilmiun nëse ju dhe unë njihemi diku. Ai i ka thënë po sepse ti me Zoranin vini shpesh dhe qëndroni në lokalin tonë dhe rrini pas orarit. Atë moment ky e ngret pushkën automatike dhe e godet me plumbin e parë. Ky tregon që ky njeri ka pasur përvojë të jashtëzakonshme në eliminimin e të gjitha dëshmive, për të mos lënë dëshmitarë prapa”, tha ai.