Lëvizja Vetëvendosje duket se nuk po arrin të çojë përpara me shpejtësinë e nevojshme një agjendë progresiste të kërkuar edhe nga Bashkimi Evropian. Disa deputetë konservatorë brenda grupit parlamentar nuk po pajtohen që njerëzit e seksit të njëjtë të martohen me njëri-tjetrin. Bëhet fjalë për Eman Rrahmanin dhe shumë deputetë tjerë. Çka saktë po ndodh?
Seksi e gjinia, orientimi seksual dhe identiteti seksual, janë ndër temat më të nxehta në debatin publik në Kosovë për grupet konservatore dhe ato liberale. Një debat i tillë mes konservatorësh dhe liberalësh ka shpërthyer edhe brenda Lëvizjes Vetëvendosje përkundër që në shumicën e vendeve të zhvilluara perëndimore tashmë është i kapërcyer.
Në seancën e radhës që pritet të mbahet këtë të mërkurë, do të diskutohet edhe për Projektkodin Civil, i cili është hartuar nga Ministria e Drejtësisë. E tema që ngjalli më së shumti debat është kapitulli i martësës pasi që i njëjti u njeh të drejtën për ‘martesë’ edhe dy personave me sekse të njëjta.
Javë më parë kjo nismë ligjore u aprovua në Komisionin për Legjislacion të Kuvendit e më pas erdhi në rend të ditës në seancën plenare të shkurtit.
Por, i njëjti nuk është votuar meqenëse koalicioni qeverisës nuk pati vota të mjaftueshme.
Në fakt, në Nenin 1138 të këtij projekt-kodi ka një diskriminim të qartë të personave me seks të njëjtë, pasi nuk përfshihen në pikën 1 të tij ku flitet specifikisht për martesën.
“1. Martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua. Martesa është bashkësi jetësore e vazhdueshme e burrit dhe gruas, ligjërisht e rregulluar. Martesa lidhet me dhënien e pëlqimit të burrit dhe gruas dhe nënshkrimin e tyre para zyrtarit të gjendjes civile.”
KUJDES: Nuk po lexoni në këtë pjesë ndonjë nen nga Kanuni i Lekë Dukagjinit por nga projektkodi i propozuar prej Vetëvendosjes më 14 janar 2022.
Ajo që lejohet për personat me seks të njëjtë janë “bashkësitë e regjistruara civile”, kushtet dhe procedurat e të cilave bashkësi rregullohen me ligj të veçantë. Pra, mosvet!
Burimet e Gazetës Nacionale tregojnë për ndarje të mëdha në grupin parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje përkitazi me këtë temë. Dhe mbani vesh, nuk po flasim në këtë pikë për përfshirjen e personave me seks të njëjtë në pikën 1 ku flitet për martesën, por për heqjen edhe të nenit për bashkësitë e regjistruara civile.
Çarjet e mëdha për këtë temë u panë gjatë diskutimit në mbledhjen e grupit parlamentar të VV, teksa një pjesë e konsiderueshme e deputetëve ishin kundër Projektkodit civil të propozuar nga MD-ja. Arsyet? Të ngjashme me ato të Gëzim Kelmendit të Partisë Fjala.
Madje burimet tregojnë se pati edhe momente të nxehta ndërmjet grupit kundërshtues dhe atyre që përkrahnin këtë iniciativë ligjore.
Aty prezent për të dëgjuar mendimet pro et contra ishte edhe kryeministri Albin Kurti, që njëherit është edhe lideri i partisë më të madhe në vend.
Në fakt, Kurti përtej dëgjimit, ishte akter aktiv në debatin e madh ndërmjet deputetëve e ministres Haxhiu.
Në krejt këtë debat, përkrahjen për Projektkodin civil e dhanë Ardian Gola, Dimal Basha, Tinka Kurti, Adnan Rrustemi, Mimoza Kusari, Haki Abazi dhe disa të tjerë.
E kundër u shprehën Visar Korenica, Eman Rrahmani, Hydajet Hyseni, Enver Dugolli dhe disa të tjerë duke i dërguar sinjal Qeverisë se mund të mos i kenë votat e mjaftueshme për kalim.
Përveç dallimeve ndërmjet deputetëve të VV-së, ndarje pati edhe brenda grupit të vogël të Listës Guxo.
Nga pesë deputetë sa i ka Lista Guxo, vetëm Daorsa Kica e Jeta Statovci kanë deklaruar votën pro gjatë diskutimeve brenda grupit parlamentar të pozitës. Burimet theksojnë edhe përfshirjen e presidentes Vjosa Osmani në përpjekjet e shumta për t’i bindur deputetët e Listës Guxo për të votuar në favor të këtij projekt-kodi.
Këto përplasje brenda grupit parlamentar të VV-së tregojnë edhe njëherë problemin e partive ‘catch-all”, të cilat shndërrohen në platformë përbashkuese të të gjitha rrymave shoqërore. Një kapërcim i tillë VV-së i ka ndryshuar zellin e hershëm progresist duke i zhbërë ‘kompasin’ ideologjik fillestar.
Anëtarësimi i grupeve me botëkuptime të ndryshme filozofike e morale, ku përfshihen nga të majtë progresistë në konservatorë religjiozë, po i sjell probleme lidershipit të VV-së në menaxhimin e votës së deputetëve. Madje, debati rreth Projekt-kodi Civil ka shpërfaqur një temë pak të diskutuar në VV, atë të reduktimit të përkrahësve të vijës fillestare ideologjike të Kurtit.
Debati mes deputetëve është ndaluar në gjysmë nga kryeministri pa ndonjë rezultat të qartë nën arsyetimin e fillimit të seancës.
Kundër këtij Projektkodi tashmë janë deklaruar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e deputetë të përveçëm si Mërgim Lushtaku e Duda Balje.
E si rrallëherë, të gjithë përfaqësuesit e bashkësive fetare janë barrikaduar së bashku në kundërshtimin e kësaj nisme të Qeverisë Kurti. Por, protestues kanë qenë edhe avokuesit e të drejtave të komunitetit LGBTIQ+ që nuk po pajtohen me gjuhën e përdorur.
Në në një njoftim të së hënës, Kryesia e Kuvendit ka paralajmëruar se Projekt Kodi Civil do të rikthehej për votim në seancën e sotme (e mërkurë, 16 mars).