Kosova dhe lidershipi i saj janë bërë ndër më të zëshmit në botë kundër agresionit rus duke iu bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë. Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti me deklarata e intervista janë pozicionuar kundër Rusisë ndërsa deputetët e Kosovës me qëndrimin e tyre për atë që po ndodhë në Ukrainë e kanë bërë të ditur me rezolutë. Madje lidershipi më i lartë i vendit e ka thënë qartë se Putin është diktator dhe kriminel lufte. Por, Kosova e cila vazhdimisht përdoret në diskursin rus si arsyetim për veprimet e Moskës në ish-hapësirat sovjetike përfshirë Ukrainën, nuk figuron në listën e shteteve armike. Kjo ka një shpjegim të thjeshtë, vetëm se Kosova nuk njihet nga Rusia.
Vetëm një ditë pas fillimit të agresionit në Rusi, Kosova ka marrë vendim që ta sanksionojë Rusinë
Më datën 25 shkurt, Kryeministri Kurti tha se miratimi i sanksioneve është në përputhje me sanksionet e SHBA-së dhe Këshillin e Bashkimit Evropian ndaj veprimeve që minojnë dhe kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës.
“Kjo nuk është hera e parë që Republika e Kosovës, duke qenë e rreshtuar me botën demokratike i vë sanksione Federatës Ruse por është hera e dytë. Në të dyja rastet sanksionet janë vënë për shkak të agresionit dhe atë ndaj Ukrainës, dëshmi që kjo Rusi që po e shohim sot nuk është një Rusi e re, por, edhe paralajmërim se ajo nuk synon të jetë e re. Në fakt ajo dëshiron prapë të jetë e vjetër madje të bëhet edhe më e vjetër se Bashkimi Sovjetik, pra të bëhet Perandori Ruse”, tha Kurti.
Por, lidershipi i Kosovë nuk është ndalë me kaq. Kurti, Osmani e zyrtarë tjerë vazhdimisht kanë dhënë intervista ku kanë shfaqur qëndrimin e pa ekuivok për agresionin ndaj Ukrainës.
Presidentja Vjosa Osmani madje dje ka dalë edhe në një marsh kundër pushtimit në Ukrainë ku e ka quajtur Putinin diktoar dhe kriminel lufte.
Por, kur Vladimir Putin urdhëroi administratën e tij për ta përgatitur listën e shteteve armike, aty nuk figuroi Kosova, për një arsye të thjeshtë- Rusia nuk e njeh Kosovën.
Kosova dhe Rusia nuk kanë kurrëfarë marëdhënie mes vete. Në fakt Rusia mban një zyre ndërlidhëse në Kosovë, që kur është rasti me shtetet mosnjohëse, akreditohen në admnistratën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë -UNMIK. Në hapjen e kësaj zyre në vitin 2005, kishte ardhur personalisht Ministri Jashtëm Serguy Lavrov. Por, diplomatët rus këtu pothuajse janë të padukshëm në Kosovë. Dy prej tyre megjithatë ishin dëbuar vitin e kaluar, në lidhje me trazirat në Veri.
Rusia kishte dërguar edhe trupa në Kosovë, në kuadër të KFOR’it pas largimit të forcave serbe, të cilat më vonë, në vitin 2003, kishte ardhur t’i vizitonte edhe Putin, si President i Federatës Ruse. Kosova e ka kërkuar vazhdimisht njohjen e Rusisë, por Moska ka refuzuar ta bëjë këtë duke u vënë në anën e Serbisë. Për shkak të fuqisë së vetos së saj në Këshillin e Sigurimit është bllokuar edhe anëtarësimi i Kosovës në OKB. Në vitin 2006, si Kryeministër i Kosovës, Agim Ceku, kishte udhëtuar drejt Moskës, në përpjekje për të zvogëluar kundërshtimin rus ndaj pavarësisë së Kosovës, por autoritetet atje nuk ishtin bindur. Ceku ishte pritur nga njëri prej zëvendëkryeministrave të shumtë rusë dhe në Dumën ruse.
Të hënën Rusia ka futur në listën e shteteve “armiqësore” edhe vendet fqinje të Kosovës Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut pasi këto të fundit iu bashkuan BE-së në sanksionet ndaj Rusisë. Në këtë listë nuk përfshihet Kosova raporton Gazeta Express. Sigurisht, as Serbia e cila ka refuzuar të vendos sanksione ndaj aleatit të saj.
Kremlini zyrtar paraprakisht në këtë listë kishte futur të gjitha shtetet anëtare të BE-së, ShBA-në, Kanadën, Australinë, Japoninë, Zvicrën, Korenë e Jugut, Singaporin, Tajvanin dhe Zelandën e Re.
Këto vende thuhet se vendosën sanksione kundër Rusisë ose u shprehën pro tyre kur Putini urdhëroi pushtimin e Ukrainës.
“Qeveria vuri në dukje se sipas këtij dekreti, qytetarët dhe kompanitë ruse, vetë shteti, rajonet dhe bashkitë e tij që kanë detyrime valutore ndaj kreditorëve të huaj nga lista e vendeve jomiqësore do të jenë në gjendje t’i paguajnë ato në rubla. Procedura e re e përkohshme zbatohet për pagesat që kalojnë 10 milionë rubla në muaj (ose një shumë të ngjashme në valutë të huaj)”, raporton “Tass”.